Rumania hap luftë kundër kazinove: Varësia nga bixhozi shkakton shkallën më të lartë të vetëvrasjeve
Qeveria e Rumanisë ka miratuar një dekret emergjent, përmes të cilit u jepet komunave e drejta e plotë për të kufizuar ose ndaluar funksionimin e pikave të bastit dhe makinave slot. Sipas rregullave të reja, operatorët e licencuar duhet të pajisen me leje si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë lokal, duke u dhënë kryetarëve të bashkive të drejtën e vetos për praninë e tyre në qytet.
Deri më tani, të paktën nëntë qytete kanë njoftuar ndalime të plota. Midis tyre spikat qyteti i Slatinës, ku kryebashkiaku Mario De Mezzo është zotuar publikisht për largimin e të gjitha kazinove nga territori i tij.
Megjithëse industria e bixhozit në Rumani ka njohur një rritje të hovshme në dy dekadat e fundit, mbrojtësit e rregullimit ligjor theksojnë se ky progres ka pasur një kosto të lartë njerëzore. Ata alarmon se varësia nga bixhozi lidhet me shkallën më të lartë të vetëvrasjeve dhe pasoja të rënda sociale për familjet.
Ligji i ri parashikon kufizime shtesë: ndalohet hyrja për personat nën 21 vjeç, do të ketë kontroll më të rreptë mbi reklamat dhe humbjet financiare, si dhe do të monitorohen rreptësisht lokacionet ku mund të ushtrohet ky aktivitet. Autoritetet kontrolluese dhe komunat do të jenë aktorët kryesorë në zbatimin e këtyre masave drastike.