Rriten tensionet, raketa dhe sulme ajrore në disa fronte në Lindjen e mesme

Konflikti në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet me shpejtësi, duke përfshirë përballje të drejtpërdrejta ushtarake mes Izraelit dhe Iranit, si dhe përfshirje më të thellë të SHBA-së dhe aleatëve të saj në rajon. Sipas raportimeve, sulmet izraelite ndaj Iranit kanë goditur objektiva ushtarake dhe kanë shkaktuar viktima në radhët e zyrtarëve të lartë, ndërsa Irani është përgjigjur me sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe disa zonave të Gjirit Persik.

Irani ka qëlluar dy raketa balistike drejt bazës amerikano-britanike të Diego Garcia, e cila ndodhet katër mijë kilometra larg në mes të Oqeanit Indian, raportoi të premten Wall Street Journal.

Asnjëra nga dy raketat e qëlluara në bazë nuk i goditi objektivat e tyre, tha gazeta, duke cituar disa zyrtarë amerikanë.

Sipas dy zyrtarëve, një raketë nuk funksionoi gjatë fluturimit dhe tjetra u rrëzua nga një anije luftarake amerikane.

E vendosur në një ishull të izoluar në arkipelagun Chagos, një territor britanik, Diego Garcia është një nga dy bazat që Mbretëria e Bashkuar ia dorëzoi të premten Shteteve të Bashkuara për përdorim për “operacione specifike mbrojtëse kundër Iranit”, së bashku me Fairford në Angli.

Është një bazë strategjikisht kyçe për SHBA-në ku nëndetëse bërthamore, bombardues dhe shkatërrues janë të stacionuara në mes të Oqeanit Indian, shkruan France Presse.

Në vitin 2025, Mbretëria e Bashkuar nënshkroi një marrëveshje për t’i rikthyer sovranitetin mbi arkipelagun Chagos Mauritiusit, duke ruajtur të drejtën e një kontrate qiraje 99-vjeçare për të siguruar funksionimin e vazhdueshëm të bazës.

Në fund të viteve 1960 dhe fillim të viteve 1970, britanikët dëbuan rreth dy mijë banorë vendas nga arkipelagu për të ndërtuar një bazë, raporton Reuters.

Kurse, ushtria izraelite (IDF) njoftoi se ka zbuluar një sulm të ri me raketa balistike nga Irani, ndërsa sirena u dëgjuan në Izraelin qendror, raportoi Times of Israel.

IDF gjithashtu bëri të ditur se po sulmonte objektiva të Hezbollahut në Bejrut, pasi kishte lëshuar paralajmërim për evakuim për disa lagje në periferitë jugore të kryeqytetit libanez. Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima, raporton Reuters.

Izraeli ka shtuar sulmet ajrore në Liban në javën e tretë të konfliktit me Hezbollahun, një grup militant i mbështetur nga Irani.

Sipas raportimeve, më shumë se 1,000 njerëz janë vrarë në këtë konflikt në Liban dhe mbi një milion janë zhvendosur.

Ushtria izraelite njoftoi gjithashtu se Irani nisi tre sulme me raketa balistike ndaj Izraelit gjatë natës, por pa të lënduar.

E presidenti Donald Trump deklaroi se SHBA-të po i afrohen përmbushjes së objektivave në luftën kundër Iranit dhe po shqyrtojnë mundësinë e reduktimit të aktiviteteve ushtarake.

Ai renditi si objektiva: shkatërrimin e kapaciteteve raketore të Iranit, bazës së tij industriale të mbrojtjes, si dhe forcave detare, ajrore dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Trump theksoi gjithashtu nevojën për të parandaluar çdo kapacitet bërthamor të Iranit dhe për të mbrojtur aleatët në Lindjen e Mesme, përfshirë Izraelin, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Kuvajtin. Ai shtoi se vendet që përdorin Ngushticën e Hormuzit duhet të sigurojnë vetë sigurinë e saj.

Nga ana tjetër, Irani paralajmëroi Emiratet e Bashkuara Arabe për “sulme shkatërruese” nëse territori i tyre përdoret për operacione kundër Iranit. Shtabi Qendror Khatam al-Anbiya deklaroi se çdo agresion do të marrë përgjigje të drejtpërdrejtë.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se Irani nuk do të tregojë “asnjë përmbajtje” nëse sulmohet infrastruktura e tij.

Sipas raportimeve, Irani është gjithashtu i gatshëm të lejojë anijet japoneze të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe po zhvillon bisedime me Japoninë për këtë çështje.

Ndërkohë, Izraeli ka kryer sulme ajrore ndaj objektivave në Teheran dhe në Iranin qendror, duke synuar fabrika armësh, depo raketash balistike dhe infrastrukturë tjetër ushtarake. Në këto sulme janë vrarë disa zyrtarë të lartë iranianë, përfshirë një zëdhënës të Gardës Revolucionare dhe një komandant të inteligjencës.

Irani vazhdoi sulmet me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe disa vendeve të Gjirit Persik, duke paralajmëruar se do të reagojë pa kufizime nëse sulmohet infrastruktura e tij.

Ndërkohë, SHBA-të kanë dërguar rreth 2,200 marins në Lindjen e Mesme më herët se sa ishte planifikuar. Trump deklaroi se Irani “nuk ka më një marinë” dhe se forcat amerikane kanë fundosur dhjetëra anije iraniane në një periudhë të shkurtër.

Ai kritikoi gjithashtu aleatët e NATO-s, duke i quajtur “frikacakë” për mosangazhimin në operacionet kundër Iranit.

Paralelisht, përpjekjet diplomatike kanë vazhduar pa rezultat. Moska i propozoi Uashingtonit një marrëveshje sipas së cilës Rusia do të pezullonte ndarjen e inteligjencës me Iranin në këmbim të ndërprerjes së mbështetjes amerikane për Ukrainën, por ky propozim u refuzua, raporton Politico. /RTK

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo