Tetovari René Rexhepi është tërhequr nga roli i kryekuzhinierit në restorantin me famë botërore “Noma” në Kopenhagë, pas akuzave për abuzim. Rexhepi e bëri të ditur vendimin e tij përmes rrjeteve sociale.
”Pas më shumë se dy dekadash ndërtimi dhe udhëheqjeje të këtij restoranti, kam vendosur të tërhiqem dhe t’i lejoj liderët tanë të jashtëzakonshëm ta udhëheqin restorantin në kapitullin e tij të radhës,” tha Redzepi.
Ish-punonjësit e kanë akuzuar kuzhinierin për krijimin e një mjedisi toksik pune, duke përfshirë abuzimin verbal dhe fizik.
Restoranti luksoz po përgatitej për një qëndrim të rregullt (pop-up) në Los Anxhelos, por sponsorët korporativë u tërhoqën pas pretendimeve për abuzim dhe protestave para lokacionit të tij të përkohshëm.
”Kërkimi i faljes nuk mjafton, unë marr përgjegjësinë për veprimet e mia. Për cilindo që pyet se çfarë do të thotë kjo për restorantin, më lejoni ta them qartë: ekipi i ‘Noma-s’ sot është më i fortë dhe më frymëzues se kurrë. Jemi të hapur prej 23 vitesh dhe jam jashtëzakonisht krenar për njerëzit tanë, kreativitetin tonë dhe drejtimin në të cilin po lëviz ‘Noma’,” u shpreh Redzepi.
Ai shtoi se ekipi do të vazhdojë punën në Los Anxhelos pa praninë e tij.
Redzepi (48 vjeç) ka lindur në Kopenhagë dhe ka origjinë nga fshati Xhepçisht i Tetovës. Që nga hapja në vitin 2003, “Noma” është shpallur restoranti më i mirë në botë në vitet 2010, 2011, 2012, 2014 dhe 2021, duke u bërë sinonim i kuzhinës luksoze ndërkombëtare, ku një menu kushton rreth 500 euro.