Në prag të festës së madhe të Fitër Bajramit, Reisul Ulemaja i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetai, i ka dërguar besimtarëve mesazh urimi, duke theksuar rëndësinë shpirtërore dhe sociale të muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Kanë shpëtuar ata që u pastruan, që përmendën emrin e Zotit të tyre dhe u falën,” ka thënë Fetai, duke theksuar se agjërimi nuk është vetëm një praktikë fetare, por një mundësi për të pastruar shpirtin, forcuar bindjet morale dhe për të dëshmuar përkushtimin ndaj Zotit dhe komunitetit.
Në mesazhin e tij, ai ka theksuar se gjatë Ramazanit besimtarët “dëshmuam urtësinë, maturinë, paqen dhe solidaritetin tonë të paluhatshëm,” duke u bërë thirrje që këto vlera të mbeten udhërrëfyes edhe pas përfundimit të muajit të shenjtë.
Reisul Ulemaja gjithashtu ka nënvizuar rëndësinë e largimit nga veset dhe dukuritë që dëmtojnë shoqërinë: “Çdo shoqëri duhet të luftojë anomalitë që rrezikojnë jetën e saj dhe të rinisë, si alkoolizmi, prostitucioni, narkomania, korrupsioni dhe dukuri të tjera që dëmtojnë njeriun dhe shoqërinë.”
Ai ka përfunduar mesazhin me një thirrje për pajtim, falje dhe forcim të lidhjeve familjare dhe shoqërore: “Le të shfrytëzojmë këtë festë për të reflektuar mbi veten tonë dhe për të vazhduar rrugën e mirësisë që e filluam në Ramazan. Le të jemi njerëz të paqes, të drejtësisë dhe të solidaritetit në familjet tona, në shoqërinë tonë dhe kudo ku jetojmë.”
Në përmbyllje, ai ka përcjellur urimet më të sinqerta për të gjithë besimtarët: “Lusim Allahun e Madhëruar që të na i pranojë agjërimet, lutjet dhe veprat tona të mira, të na dhurojë paqe në zemrat tona, harmoni në familjet tona dhe mirësi në shoqërinë tonë. Gëzuar Fitër Bajramin! Allahu e bëftë këtë festë burim paqeje, begatie dhe lumturie për të gjithë.”