Regjimet dhe frika nga shembulli!

Nga Arian Galdini

Regjimet nuk e kanë frikë konfliktin që mund të llogaritet.

Edhe kur përplasja bëhet e fortë, ajo shpesh mbetet brenda alfabetit të pushtetit.

Prodhon nxehtësi, zhurmë, kthim të syrit te qendra.

Regjimi e mat, e shtyn, e lodh, ndonjëherë edhe e ushqen, sepse përplasja e mban skenën gjallë dhe skena e mban pushtetin në qendër.

Kjo është arsyeja pse shumë rendje jo të lira bashkëjetojnë gjatë me kundërshtarë të zëshëm, jo sepse janë të buta, por sepse konflikti, për sa kohë mbetet i menaxhueshëm, nuk ua heq dorën nga rregulli i ditës.

Frika fillon diku tjetër.

Ajo fillon te shembulli.

Konflikti ndez çastin.

Shembulli i vë jetës masë tjetër.

I pari polemizon me pushtetin, i dyti e bën pushtetin të duket i tepërt.

Regjimi e duron përplasjen që mund të parashikohet.

Shembulli e shqetëson, sepse sapo bëhet i dukshëm, fillon të riprodhohet pa i kërkuar leje askujt.

Regjimi e duron konfliktin që mund të administrohet, shembulli e prish këtë administrim sapo fillon të përsëritet.

Kundërshtari mund të etiketohet, të provohet, të futet në ritin e polemikës, të shfaqet herë si kërcënim e herë si dekor, por gjithsesi të mbahet brenda qarkut që regjimi di ta lexojë.

Shembulli jo.

Ai nuk ka nevojë për tribunë që të marrë peshë.

Nuk ka nevojë për britmë që të shihet.

Ai punon pa privilegj, mban fjalën kur kjo i kushton, dhe nuk e ndërron masën e drejtësisë as për të fortin, as për të dobëtin. Duken gjëra të vogla.

Pikërisht për këtë arsye kopjohen.

Regjimi jeton nga ndërmjetësimi.

Ai ka nevojë që njeriu të besojë se dinjiteti nuk arrihet drejtpërdrejt, por kalohet përmes afërsisë me qendrën, përmes një nënshtrimi me interes, përmes një rruge të shkurtër që quhet mençuri dhe që në të vërtetë është përkulje.

Shembulli e prish këtë treg.

Një njeri që refuzon përfitimin e pamerituar dobëson ekonominë e nënshtrimit.

Një njeri që e mban fjalën edhe kur askush nuk e shpërblen, e bën propagandën të duket si zhurmë.

Një njeri që e trajton tjetrin me të njëjtin rregull, pa u përkulur nga frika dhe pa e shitur drejtësinë për rehati, e bën klientelizmin të duket jo i fortë, por i varfër.

Njeriu nuk ndryshon vetëm nga arsyetimi.

Kur jeta dhe fjala nuk rrinë të ndara, besimi i të tjerëve nuk vjen si miratim, vjen si tundim për ta provuar vetë.

Dy e nxjerrin nga vetmia.

Pastaj s’është më në dorën e tyre.

Kjo është nyja e lidershipit moral, jo vula, jo posti, jo frika që të detyron, por përputhja e jetës me fjalën që prodhon bindje pa kërkuar leje.

Tallje, përjashtim, blerje.

E para i vë njollë dritës, që të mos njihet.
E dyta e lë vetëm derisa vetmia të ngatërrohet me provë dështimi.
E treta s’të thërret me urdhër.
Të jep qetësi, afërsi, një vend ku ta harrosh veten, derisa të mos kesh më arsye të mbetesh i papërlyer.

Shembulli i vërtetë i çarmatos këto tri goditje me një kusht të vetëm, nuk kërkon privilegj për vete dhe nuk kërkon turmë për të qenë i drejtë.

Po iu afrua privilegjit, flet gjuhën e pushtetit.

Po iu afrua turmës si alibi, standardi i bie nga duart.

Sokrati e bëri këtë të dukshme në fillim.

Kur refuzoi të shpëtonte veten duke tradhtuar atë që kishte jetuar e mësuar, ai nuk ngriti lëvizje dhe nuk kërkoi strehë te turma.

Ai la përballë një standard që e bënte gjykimin më të vogël se njeriu i gjykuar.

Shekuj më vonë, Haveli e tha me gjuhë tjetër, jeta në të vërtetën e çarmatos rendin e gënjeshtrës jo sepse bërtet më fort, por sepse e lë atë pa mbështetje morale.

Këtu autoriteti nuk buron nga posti, por nga koherenca që prodhon bindje pa kërkuar leje.

Megjithatë, duhet pranuar edhe kundërtia.

Ka çaste kur konflikti është i domosdoshëm.

Ka pushtete që e mbyllin aq fort hapësirën, sa shembulli, po të mbetet vetëm jetë e heshtur, rrezikon të mbetet i padukshëm.

Konflikti mund të çajë murin.

Por muri i çarë nuk mjafton.

Nëse hapësira që hapet nuk mbushet me standard të jetuar, përplasja bëhet vetëm ventil, shkarkon zemërimin dhe e lë rendin në vend.

Rreziku i vërtetë për regjimin lind kur përplasja hap hapësirën dhe shembulli e mbush atë.

Derisa kjo të ndodhë, pushteti përcakton çfarë quhet e mundshme, e pranueshme, e arsyeshme.

Pas atij çasti, njerëzit nuk presin më leje për të jetuar sipas një mase tjetër.

Regjimi e duron polemikën, sepse polemika e mban ende në qendër.

Humb terren kur standardi i jetuar pushon së kërkuari leje dhe nis të riprodhohet.

Aty kundërshtia s’ka më nevojë të flasë si kundërshti.

Fillon të jetojë si rregull.

Kur kjo ndodh, pushteti mund të rrijë ende në këmbë.

Ajo që i bie nga dora është bindja se pa të jetohet.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo