Qeveria e re, përfundon takimi Rama-Begaj/ Takoi presidentin për 45 minuta, i dorëzon emërimet e reja
Kryeministri Edi Rama u takua të hënën me Presidentin Bajram Begaj për t’i dorëzuar shtatë ndryshimet e bëra në kabinetin qeveritar. Takimi Rama-Begaj u zhvillua në Pallatin e Brigadave, në orën 11:00.
“Sot, Presidenti i Republikës,Bajram Begaj, priti në takim Kryeministrin, Edi Rama. Kryeministri paraqiti në takim propozimet për ndryshimet në Kabinetin qeveritar.
Procedura kushtetuese parashikon 7 ditë afat për dekretimin e ministrave.”, njoftoi presidenca.
Mbledhja 9-orëshe e Edi Ramës me grupin parlamentar, fillim javën e shkuar përfundoi me ndryshime në Këshillin e Ministrave. Belinda Balluku la kabinetin qeveritar në dy funksionet, si zëvendëskryeministre dhe ministre e energjisë dhe infrastrukturës, post të cilin e mbante që prej janarit 2019 ose për tre mandate.
Albana Kociut, e cila mbante postin e ministres së brendshme, do të jetë numri dy i qeverisë ndërsa Enea Karakaci do të jetë ministri i ri i Infrastrukturës dhe energjisë. Ai ka drejtuar OSHEE që nga qershori i vitit 2023 ndërsa ka mbajtur poste të rëndësishme në këtë dikaster. Besfort Lamallari largohet nga drejtësia për tu rikthyer në ministrinë e brendshme, aty ku më herët, ka shërbyer si zëvendësminister. Në krye të drejtësisë kalon Toni Gogu, i cili deri më tani ka mbajtur postin e ministrit të shtetit për marrëdhëniet me parlamentin.
Vetëm pesë muaj qëndroi Elisa Spiropali në krye të diplomacisë. Edi Rama e shkarkoi nga posti i ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke ia besuar këtë dikaster Ferit Hoxhes, me një eksperiencë të gjatë në shërbimin e jashtëm. Hoxha, i cili ka mbajtur postin e ambasadorit në Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, drejton diplomacinë shqiptare në një moment vendimtar sa I përket anëtarësimit në familjen europiane.
Në qeveri nuk do jetë me as Pirro Vengu. Dikasteri i mbrojtjes iu besua Ermal Nufit, i cili mbante postin e zëvendëssekretarit të përgjithshëm të këshillit të ministrave. Ndërsa ka shërbyer dhe si këshilltar ligjor në ministrinë e infrastrukturës dhe energjisë. Një prurje e re është Erjona Ismali. Deputetja e Vlorës do të jetë ministrja e re për marrëdhëniet me parlamentin./abcnews.al