Rusia është e gatshme të rifillojë furnizimin me naftë dhe gaz për vendet evropiane, nëse ekziston interes për një bashkëpunim afatgjatë dhe të qëndrueshëm, deklaroi presidenti rus Vladimir Putin gjatë një takimi kushtuar gjendjes së tregut të energjisë. Ai theksoi se Moska ka qenë gjithmonë një furnizues i besueshëm dhe se asnjëherë nuk ka refuzuar bashkëpunimin me partnerët evropianë.
“Nëse kompanitë dhe blerësit evropianë vendosin t’i drejtohen një bashkëpunimi afatgjatë dhe të qëndrueshëm, pa presione politike, ne jemi të gatshëm. Ne kurrë nuk kemi refuzuar bashkëpunimin me evropianët,” tha Putin.
Nga ana tjetër, presidenti rus bëri të ditur se qeveria në Moskë po analizon nëse është më profitabile që një pjesë e dërgesave të gazit për Evropën të ridrejtohet drejt tregjeve të reja. Kjo vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian ka paralajmëruar plane për të ndërprerë plotësisht importin e gazit rus deri në vitin 2027.
“Nuk duhet të presim që dera të na përplaset në fytyrë. Duhet t’i ridrejtojmë me kohë ato sasi nga tregu evropian drejt destinacioneve të tjera më tërheqëse,” shtoi ai. Putin përfundoi duke thënë se Rusia do të vazhdojë dërgesat e naftës dhe gazit drejt vendeve që i konsideron si partnerë të sigurt dhe të qëndrueshëm në tregun energjetik.