Kreu i PD Sali Berisha foli për protestën e thirrur nga opozita më 12 mars para Kuvendit, duke theksuar se objektivi i vetëm është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Kryedemokrati tha se jemi në stinën e përmbysjes së diktatorëve, dhe në Shqipëri “do ta kryejmë vetë”, raporton A2CNN.
“Më 12 mars, Shqipëria vjen këtu për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. U lutem ju, transmetoni, përcilleni objektin e protestës. Protesta është për dorëheqjen e Edi Ramës. Shqiptarët mblidhen më 12 mars për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe çdo protestë do ketë vetëm një motiv, largimin, dorëheqjen e Edi Ramës. Ora do të caktohet. Por ftoj të gjithë shqiptarët të vazhdojmë betejën tonë sepse është stina e përmbysjes së diktaturave dhe diktatorëve. Por këtu në Shqipëri do ta kryejmë vetë. T’i themi sa më shpejt, u krye”, tha Berisha.
Kreu i PD mohoi që të ketë votuar në Kuvend kundër shkarkimit të Elisa Spiropalit si Ministre për Europën dhe Punët e Jashtme.
“Nuk kam votuar fare, se çfarë ka bërë sistemi unë nuk e di. As Topalli nuk ka votuar. Është e gjitha mekanizëm i Niko Peleshit. Unë kam qenë në platformë”, shtoi kryedemokrati.