Promovohet projekti për nxitjen e përdorimit më të gjerë të teknologjisë asistive në edukimin e nxënësve me vështirësi





Nxitja e përdorimit më të gjerë të teknologjisë asistive në shkolla, për proces më efikas
edukativo-arsimor për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore është qëllimi i projektit të ri
“Avokim për inkluzion digjital” i Shoqatës për Teknologji Asistive “Hapni Dritaret” dhe
ZETA – organizata për aftësi të kufizuara dhe drejtësi, mbështetur nga Ministria e Arsimit
dhe Shkencës dhe Ambasada e Zvicrës.
Projekti u promovua sot, ndërsa në këtë ngjarje fjalim mbajti edhe sekretarja shtetërore në
MASH, Elena Ivanovska, e cila theksoi se gjatë periudhës së kaluar Ministria ka ndërmarrë
disa hapa të rëndësishëm drejt sigurimit të mundësive të barabarta arsimore për nxënësit me
vështirësi.
„ Me ndryshime ligjore, kemi mundësuar ri-regjistrimin e nxënësve me nevoja komplekse në
shkollat me qendra burimore, duke iu përgjigjur kështu kërkesave të shumë prindërve të
nxënësve me vështirësi. Por gjithashtu, këtë vit shkollor kemi angazhuar numrin më të madh
të asistentëve arsimorë në arsimin fillor -1.346, dhe për herë të parë 130 në arsimin e mesëm.
Paralelisht investojmë edhe në avancimin e kapaciteteve të kuadrit edukativo-arsimor,
përmes trajnimit të vazhdueshëm për konceptin e gjithëpërfshirjes dhe për metodat dhe
teknikat e punës”, theksoi Ivanovska.
Që nga ky vit kalendarik, Ministria ka futur edhe formula të reja për financimin e arsimit
fillor dhe të mesëm, ku parashikohet që një nga elementët për rritjen e dotacioneve të jetë
inkluzioni, përkatësisht mjetet për komunat përcaktohen gjithashtu në bazë të numrit të
nxënësve me vështirësi.
„ Prioritet për periudhën e ardhshme është përmirësimi i kushteve për mësimdhënie dhe
rehabilitim në gjashtë shkolla me qendra burimore – tri në Shkup dhe nga një në Shtip, Novo
Sellë dhe Manastir, për të cilat tashmë janë siguruar mjete financiare. Shkollat do të
rikonstruktohen plotësisht, ndërsa është planifikuar edhe sigurimi i teknologjisë asistive.
Sigurisht, do të kujdesemi që të mos lëmë jashtë procesit të pajisjes me teknologji të reja edhe
shkollat e tjera fillore dhe të mesme, por presim mbështetje nga shoqëria më e gjerë, nga
vetëqeverisjet lokale, organizatat qytetare, komuniteti i biznesit me përgjegjësi shoqërore dhe
partnerët tanë ndërkombëtarë. Prandaj, le të jetë ky projekt mbështetje në realizimin e këtij
prioriteti të rëndësishëm,” theksoi sekretarja shtetërore, duke shtuar se nuk është e mundur
arsim inkluziv cilësor pa shoqëri të zhvilluar inkluzive, dhe për këtë është e nevojshme
bashkimi i përpjekjeve të të gjithë aktorëve shoqërorë.

Promovohet projekti për nxitjen e përdorimit më të gjerë të teknologjisë asistive në edukimin e nxënësve me vështirësi

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo