Përfundoi rikonstruksioni thelbësor i Qendrës Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim „Mosha Pijade” në Tetovë
Qendra Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim „Mosha Pijade” në Tetovë mori pamje të re. Përfundoi rikonstruksioni dhe pajisja e të gjitha objekteve në kuadër të kësaj shkolle shtetërore, në të cilin zhvillohet procesi arsimor në disa drejtime-makineri, elektroteknikë, hoteleri dhe turizëm, bujqësi, peshkatari dhe veterinari, si dhe komunikacion, transport dhe magazinim. Investimi është në vlerë prej pothuajse 5 milionë euro, të cilat janë siguruar nga buxheti shtetëror, ndërsa do të rimbursohen nga Bashkimi Evropian.
Shkollën sot e vizituan ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, së bashku me kryetarin e Qeverisë, Prof. Dr. Hristijan Mickoski, Ambasadorin e BE-së Mihalis Rokas dhe kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
“ Të gjitha objektet e vjetra, për të cilat besoj se tetovarët dhe gjeneratat e kaluara e mbajnë mend në çfarë gjendjeje ishin, tani janë transformuar në hapësira moderne, të pajisura shumë mirë me pajisje shkollore, informatike dhe elektromekanike, dhe niveli i cilësisë së procesit edukativo-arsimor është rritur ndjeshëm. Pres që shkolla të vazhdojë të krijojë kuadro profesionale edhe më të përgatitura dhe të nevojshme, të cilat do të përfshihen në proceset shoqërore, në industri dhe në ekonomi”, theksoi Janevska.
Ministrja theksoi se me përmbylljen e këtij investimi të madh infrastrukturor në arsim, në fakt është realizuar edhe një nga obligimet e shtetit të parashikuara në Agjendën Reformuese.
„ Kemi detyrë që deri në fund të vitit 2027 të themelojmë 8 qendra rajonale për arsim dhe aftësim profesional dhe shkencë dhe t’u sigurojmë kushte cilësore për procesin mësimor. Me kënaqësi ndaj se 7 janë themeluar dhe prej tyre, 3 tashmë funksionojnë në mënyrë të shkëlqyer.
Ndër to është edhe kjo shkollë, me ç’rast dua të shpreh falënderim ndaj Bashkimit Evropian që na ndihmon financiarisht për ta realizuar këtë qëllim, ndaj Qeverisë që gjithashtu në dy vitet e fundit ndan më shumë mjete se kurrë më parë për sektorin e arsimit, si dhe ndaj komunitetit të biznesit që po përfshihet në realizimin, zhvillimin dhe promovimin e arsimit profesional, ku në fakt qëndron e ardhmja e të rinjve dhe e shtetit në përgjithësi”, shtoi Janevska.
Qendra Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim „Mosha Pijade” në Tetovë ka pesë objekte në përbërje dhe të gjitha janë rikonstruktuar plotësisht. Është vendosur fasadë e re me efikasitet energjetik, konstruksion i ri i çatisë, janë zëvendësuar dyert dhe dritaret dhe është siguruar qasje për personat me nevoja të veçanta në dy objektet kryesore. Në shkollë ka mbi 1000 nxënës dhe 150 mësimdhënës.




