Përçarje të reja në VLEN, Mimoza Musa kundër Ilir Demirit

Ideja për bashkimin e shpejtë të partive në kuadër të koalicionit VLEN po përballet me pengesa serioze, ndërsa ndasitë brenda këtij blloku duket se po thellohen edhe më shumë. Për momentin, sipas burimeve brenda koalicionit VLEN, marrëveshje konkrete ekziston vetëm mes Izet Mexhitit dhe Bilall Kasami,t ndërsa negociatat me Alternativën dhe grupin e Azir Aliut mbeten larg një zgjidhjeje përfundimtare, shkruan gazeta KOHA.

Një nga pikat kryesore të përplasjes lidhet me përbërjen e Kryesisë së ngushtë të partisë së re që synohet të formohet. Emri i deputetit Ilir Demiri, i përfolur dhe i liferuar si kandidat për postin e nënkryetarit, po has në kundërshtime të brendshme.

Deputetja Mimoza Musa ka paralajmëruar se, nëse Demiri emërohet në këtë post, ajo mund të largohet nga grupi parlamentar VLEN-it. Edhe në grupin që u shkëputën nga zëvendëskryeministri Arben Fetai ka qëndrime që pikërisht Musa duhet të jetë nënkryetare e partisë. Ata argumentojnë se ajo ishte deputetja që braktisi Arben Taravarin dhe qëndroi në VLEN pavarësisht presioneve politike.

Sipas tyre, përfaqësimi i një gruaje në Kryesinë e ngushtë është gjithashtu i domosdoshëm, duke pasur parasysh se aktualisht – pesë burra synojnë të drejtojnë strukturën e re politike.

Megjithatë, situata komplikohet edhe më tej nga paralajmërimet e deputetit Ilir Demiri, i cili, sipas burimeve, ka lënë të kuptohet se nëse nuk emërohet në postin e premtuar të nënkryetarit, mund të veprojë sërish si deputet i pavarur dhe të mos e mbështesë VLEN-in në Parlament. “Deputeti Ilir Demiri kërkon të respektohet ‘pazari’. I është premtuar nga Latif Arifi dhe Azir Aliu se do jetë nënkryetar, ndërsa tani vet struktura e tyre është kundër”, thonë për KOHA burime nga grupi i Arifit dhe Aliut.

Në këtë kontekst, “fitorja” e shpallur nga grupi i Azir Aliut dhe Latif Arifit për bashkimin e shpejtë të partive në VLEN duket se ka qenë jetëshkurtër. Në Aleancën për Shqiptarët vlerësojnë se situata është komplikuar edhe më shumë nga marrëveshjet e brendshme politike. Sipas tyre, Latif Arifi dhe deputeti i Lëvizjes BESA, Adnan Azizi, kishin arritur një dakordim për të dobësuar pozitat e zëvendëskryeministrit Arben Fetai, përmes shkëputjes së një ministri dhe një deputeti nga ndikimi i tij.

Në të njëjtën kohë, propozimi që partia e re të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami – nuk po gjen mbështetje të plotë. Kundërshtime ka edhe nga Alternativa e zëvendëskryeministrit Bekim Sali. Këtij të fundit i është ofruar posti i Sekretarit gjeneral në VLEN, por ai ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare.

Sali nuk është shprehur për këtë ofertë as gjatë takimit të mbajtur më 7 mars në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ndërkohë, Alternativa ka nisur konsultimet me strukturat e saj partiake për të shqyrtuar ofertat dhe opsionet politike.

Takimin e parë Sali e ka zhvilluar në Komunën e Dollnenit. Në një njoftim në rrjetet sociale, Sali ka thënë se së bashku me kryetarin e Komunës, Blerim Islami nga Alternativa dhe me strukturat e VLEN-it, ka bashkëbiseduar për situatën aktuale politike, sfidat me të cilat përballen dhe për hapat e ardhshëm në forcimin e strukturave të tyre.

Por, gjithçka pritet të sqarohet në Kuvendin e Alternativës të caktuar për më 18 mars, ku pritet të merret vendimi përfundimtar lidhur me qëndrimin ndaj projektit “VLEN – një parti”.

Brenda Alternativës, një pjesë e konsiderueshme e kryesisë insiston që edhe Bekim Sali të jetë bashkëkryetar, duke iu referuar marrëveshjes fillestare të koalicionit, kur katër parti u bashkuan në VLEN me parimin e drejtimit të përbashkët. Megjithatë, ka zëra që janë për bashkim me dy bashkëkryetarë, por që ndarja e pushtetit të jetë e barabartë mes BESËS, LD-së dhe Alternativës dhe jo nga 35% për Kasamin dhe Mexhitin, ndërsa për Alternativën e Bekim Salit vetlm 10%.

“Nëse jo bashkëkryetarin, atëherë pushteti të ndahet njësoj”, thonë burime nga Alternativa. Propozimi për ndarjen e pushtetit, sipas matematikave të Mexhitit dhe Kasamit, është 35% për BESËN, 35% për LD-në, 10% për Alternativën, 10% për ASH-në e mbetur në VLEN, ndërsa 5% për Bekim Qokun dhe 5% për Lëvizjen Arbëria.

Ndërkohë, Bekim Qoku si i deleguar i Vetëvendosjes duket se do jetë pjesë e Kryesisë së ngushtë, por jo ashtu siç e kishin caktuar paraprakisht – Sekretar gjeneral. Pas ndodhive të fundit, as nënkryetar partie vështirë se do të jetë. Aktualisht, Qoku është koordinator i Grupit parlamentar i VLEN-it.

“Bekimi (Qoku) e ka lehtë, ai pajtohet me çfarëdo që i ofrohet, pasi ka vetëm 4-5 veta që i rrinë afër. Borxhi ndaj tij ka përfunduar me emërimin si koordinator i Grupit parlamentar dhe ndarjes së një drejtorie – dhe një zëvendësdrejtori, që akoma nuk është emëruar. Madje, edhe kandidatin për zëvendësdrejtor nuk mund ta emërojë dot, pasi nuk i plotëson kushtet e kërkuara me Ligj”, thonë në VLEN.

Ndryshe, tentimi për bashkimin e VLEN-it në një parti ka nis që pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2024, ndërsa po bëhen rreth dy vite që tentohet bashkimi i tyre. Në fillim u fol për katër bashkëkryetarë për të përfunduar me dy, por që ende nuk po ndodhë. (koha.mk)

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo