Dhuna ndaj mjekëve në Maqedoni të Veriut mbetet një problem shqetësues, ndërsa përfaqësues të sistemit shëndetësor theksojnë se një nga arsyet më të shpeshta të incidenteve është pakënaqësia e pacientëve me pritjen në radhë.
Të dhënat e Odës së Mjekëve, thonë se mbi 70% të mjekëve në vend janë përballur me dhunë në vendin e punës, ndërsa anketat e Odës zbulojnë se madje 78% e mjekëve kanë qenë të ekspozuar ndaj ndonjë lloji të dhunës, nga të cilët 80% ndaj dhunës verbale dhe 6.8% ndaj dhunës fizike.
“Pavarësisht ndryshimeve në Kodin Penal në vitin 2023, me të cilat sulmi ndaj punonjësit mjekësor trajtohet si sulm ndaj personit zyrtar, rezultatet e pritura mungojnë pasi pothuajse 70% e sulmeve nuk raportohen fare për shkak të procedurave e ndërlikuara ose perceptimit të mjekëve se kjo është pjesë e punës së tyre. Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë vitit të kaluar janë paraqitur dy padi penale për veprën penale „sulm ndaj punonjësit shëndetësor dhe bashkëpunëtorit shëndetësor gjatë kryerjes së veprimtarisë shëndetësore“, për të cilën janë denoncuar tre persona që kan kryer veprën penale. Një rast ka ndodhur në Shkup, ku janë denoncuar dy autorë, dhe një rast në Shtip,” tha kjo odë sot në një komunikatë pas një konference të posaçme për këtë çështje.
“Për sistemin shëndetësor është thelbësore që të punësuarit të ndihen të sigurt në vendin e tyre të punës, në mënyrë që të mund të ofrojnë mbrojtjen dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor për pacientët,” tha Ministri i Shëndetëisë Azir Aliu me këtë rast, transmeton zhurnal.mk.
“Për ne si Ministri është e rëndësishme që po zbatohen me sukses ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat dhuna ndaj një punonjësi shëndetësor gjatë kryerjes së detyrave profesionale konsiderohet si dhunë ndaj një personi zyrtar dhe përbën vepër penale për të cilën parashikohet dënim me burg”, shtoi ai Aliu.
Në konferencën për shtyp, psikiatri Kadri Haxhiamza deklaroi se mjekët shpesh përballen me situata të rrezikshme, duke theksuar se ndonjëherë është e vështirë të kuptohet se kush është pacienti dhe kush mjeku.
Ai rrëfeu edhe një rast personal, kur një pacient i tij, i cili nuk kishte marrë terapinë e përshkruar, e kishte sulmuar fizikisht në ordinancë.
“Pacienti im që nuk e kishte marrë terapinë, e di që është agresiv, erdhi dhe më kapi për fyti. Nuk ke ku të ikësh në zyrë. E lajmërova policinë dhe ajo erdhi shumë shpejt”, tha Haxhiamza.
Nga ana tjetër, kryetarja e Oda e Mjekëve e Maqedonisë së Veriut,, Kalina Grivçeva-Stardellova, theksoi se dhuna nuk është zgjidhje edhe kur pacientët janë të pakënaqur me shërbimet shëndetësore. Sipas saj, qytetarët kanë mundësi të paraqesin ankesa në institucionet përkatëse.
“A është zgjidhje ta rrihni dikë? Unë mendoj që jo. Ekzistojnë institucione ku mund të paraqiten ankesat, si drejtoria e institucioneve shëndetësore, gjykata apo prokuroria”, tha ajo në konferencën për shtyp të mbajtur me rastin e Ditës Evropiane kundër dhunës ndaj mjekëve, e cila shënohet më 12 mars.