Në Shkup po zhvillohet një aksion i gjerë për pastrimin e shtratit të lumit Vardar, njoftoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas tij, kjo është një aktivitet i koordinuar, i fokusuar në pastrimin e shtratit të lumit, që përfaqëson një nga shenjat më të dallueshme natyrore të kryeqytetit.
“Po zhvillohet një aksion i gjerë dhe i koordinuar për pastrimin e shtratit të lumit Vardar, simbolit të Shkupit tonë të bukur. Ky është një hap që mungonte për vite me radhë për shenjën tonë më të njohur natyrore”, thekson Gjorgjievski.
Aksioni përfshin pastrimin e shtratit përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Vardar në territorin e qytetit, me pjesëmarrjen e ekipeve nga ndërmarrjet publike. Përafërsisht në të njëjtën kohë po përmirësohen edhe shtigjet për këmbësorë dhe çiklistë përgjatë bregut.
Kryetari i qytetit thekson se qëllimi është largimi i të gjitha pjesëve të neglizhuara që me vite kanë krijuar një pamje jo të përshtatshme për qytetin. Ai shton se kjo do të bëhet praktikë e përhershme në mirëmbajtjen e bregut dhe hapësirave publike.
“Bregu do të mirëmbahet dhe pastrohet çdo ditë, sepse qytetarët e Shkupit, por edhe vizitorët e qytetit, meritojnë një metropol të bukur, të rregulluar dhe të pastër”, thekson Gjorgjievski.
Ai gjithashtu bëri apel që qytetarët të tregojnë përgjegjësi ndaj mjedisit, duke theksuar se lumenjtë, parket dhe hapësirat publike janë pronë e përbashkët dhe pastrimi i tyre varet nga kujdesi i përbashkët.