Nga Banditi te Paraziti: Anatomia e Shtetit Shqiptar

Adri Nurellari

Mes shpjegimeve alternative që qarkullojnë për zanafillën e shtetit, spikat ajo e Mancur Olson i cili ka pas nxjerrë një teori që zhvesh çdo iluzion romantik mbi “kontratën sociale” për ta zëvendësuar me logjikën e ftohtë të grabitjes së “banditëve”. Për mendimtarët klasik duke nisur nga Hobbes, Locke dhe Rousseau si shteti zakonisht tregohet si një histori morali që e sheh shtetin si produkt të arsyes dhe pëlqimit. Sipas tyre, njerëzit duke dashur t’i japin fund kaosit të “luftës së të gjithëve kundër të gjithëve”, vullnetarisht bëjnë një dorëzim të lirisë individuale tek një mekanizëm kolektiv për të garantuar rend, siguri dhe drejtësi. Megjithatë, kjo linjë normative është sfiduar që herët nga skepticizmi i David Hume dhe më pas nga qasja empirike e Olsonit, me argumentin se shteti nuk vjen nga ujdija, por krijohet si rezultat i forcës, interesit dhe organizimit të dominimit.

Sipas këtij të fundit, në territoret pa shtet, kishte fshatra që grabiten herë pas here nga bandat që sorollateshin prandaj edhe njerëzit prodhonin vetëm aq sa për të mbijetuar, sepse e dinin që gjithçka tepricë mund t’iu merret nesër nga ‘banditi shëtitës’ . Në këtë kaos del një bandit dominues i cili vetëdijësohet se shkatërrimi i burimit e varfëron rrjedhimisht edhe vetë grabitësin. Por në një moment ai ndalet dhe mendon që, nëse qëndron, eliminon rivalët dhe vendos njëfarë rregulli e stabiliteti, njerëzit do të prodhojnë më shumë dhe ai mund të marrë një pjesë të majme të këtij prodhimi të shtuar çdo vit. Kështu ai ndalon së qenë një kusar që endet në kërkim të plaçkës dhe transformohet në një sundues i palëvizshëm që vendos rend e taksa, mbron minimalisht pronën, bën ca punë botore për komunitetin dhe ndëshkon dhunën e të tjerëve. Të gjitha këto nuk i bën sepse befas është bërë më i mirë, por thjesht sepse ka kuptuar që kështu është më e leverdisshme për të. Pra për Olsonin, shteti embrional nuk është asgjë tjetër veçse një optimizim i zhvatjes që vjen prej transformimit prej “banditit shëtitës” që vjedh dhe ikën, duke lënë pas shkretëtirë drejt “banditit të qëndrueshëm”.

Por kjo teori nuk është vetëm një shpjegim historik. Ajo është një lente për të kuptuar pse disa shtete funksionojnë dhe të tjerë ngecin në një gjendje të përhershme tranzicioni. Diferenca mes një shteti që lulëzon dhe një shteti që dështon varet edhe nga horizonti kohor i sunduesit. Nëse autokrati beson se do të qëndrojë gjatë, ai ka interes të rrisë produktivitetin e ekonomisë që kontrollon; dhe enkas vjel më pak sot për të pasur më shumë nesër. Por nëse ai e ndjen se karrigia i lëkundet, ai kthehet te logjika e grabitësit shëtitës: ‘merr çfarë të mundesh, sa më shpejt të mundesh, përpara se të vijë tjetri’. Ky është momenti ku teoria e Olsonit ndesh realitetin shqiptar, duke pësuar një mutacion që ai mbase nuk e parashikonte dhe që ka të bëjë me faktin që elitat që kontrollojnë vendin i bëjnë paratë këtu por të ardhmen e projektojnë jashtë shtetit.

Shqipëria sot duket sikur është kapur pikërisht në këtë pikë, problemi nuk është mungesa e shtetit. Problemi është se ata që kanë më shumë pushtet dhe kapital kanë gjetur një mënyrë për të përfituar nga ai pa qenë të lidhur me të ardhmen e tij. Në letër, shteti funksionon sepse formalisht ka institucione, ka rregulla, ka një farë kontrolli mbi forcën dhe një sistem taksash, pra faza e “banditit shëtitës” duket sikur është lënë pas. Por mënyra si mendojnë dhe veprojnë elitat nuk është plotësisht ajo e një pushteti afatgjatë që investon te vendi. Përkundrazi, kemi një elitë që po qëndron gjatë në pushtet, por sillet sikur është e përkohshme ndaj vetë Shqipërisë, që e sheh territorin jo si atdhe, por si aset në likuidim duke e grabitur në palcë ku, çfarë e sa të mundet.

Për ta kuptuar këtë, duhet parë mbi të gjitha, sjellja e elitës ekonomike. Ndryshe nga kapitalizmi prodhues klasik (ku fitohet përmes inovacionit e meritës), elita jonë shpesh operon përmes marrjes së licencave, tenderave ose lejeve të ndërtimit, pra, duke vjelë “rentë” nga asetet publike. Kjo shpjegon pse ata nuk kanë nevojë për institucione të forta sepse dihet që renta kërkon afërsi me pushtetin, jo konkurrencë tregu.

Në vitet e fundit, është bërë pothuajse një element identitar për sipërmarrësit më të mëdhenj shqiptarë të tregojnë për investimet e tyre në SHBA, Austri, Itali apo Greqi. Nuk është thjesht diversifikim; është një formë prestigji. Në të njëjtën kohë, familjet e tyre jetojnë gjithnjë e më shumë jashtë, fëmijët studiojnë në universitete perëndimore dhe shpesh nuk rikthehen, ndërsa shtetësitë e dyta janë kthyer në një aset strategjik.
Paralelisht “Exit-i” nuk është vetëm fizik (ikja jashtë), por edhe institucional. Kur elita krijon “ishuj” sigurie (lagje të rrethuara me roje, spitale private, shkolla private), ajo praktikisht ka dalë nga shteti pa u larguar nga territori. Ata jetojnë në një Shqipëri paralele që nuk ka lidhje me atë të qytetarit të thjeshtë.
Kur elita nuk përdor vetë sistemin publik të arsimit, nuk ka incentiva të forta për ta përmirësuar atë; kur nuk përdor sistemin shëndetësor vendas, nuk ka urgjencë për reforma. Poashtu kur jeton pjesërisht jashtë në Vjenë, Londër apo Dubai, lidhja e saj me hapësirën natyrore, urbane, dhe sociale të vendit dobësohet. Kështu krijohet një shkëputje e thellë midis atyre që marrin vendimet dhe atyre që përjetojnë pasojat e tyre. Kjo lidhet me konceptin e “rrezikut personal në lojë” (skin in the game), siç e thekson Nassim Taleb, që nënkupton se vendimmarrësit duhet të mbajnë edhe pasojat e vendimeve të tyre. Kur elitat nuk jetojnë me pasojat e sistemit (sepse kanë sigurinë, shëbimet cilësore dhe të ardhmen jashtë shtetit) ato humbasin interesin për ta ndërtuar Shqipërinë dhe fokusohen vetëm te shfrytëzimi i saj.

Këtu metafora e Olsonit transformohet në diçka më ogurzezë: nga banditi te paraziti. Banditi i qëndrueshëm, të paktën, donte që organizmi të jetonte gjatë, të rritej se ashtu edhe prodhonte më shumë. Paraziti modern ka një logjikë tjetër: maksimizo nxjerrjen e lëngut përpara se të migrosh te trupi tjetër. Shqipëria shërben për të gjeneruar para, ndërsa Perëndimi shërben për t’i kthyer ato para në siguri, luks e cilësi jete. Ky “ekuilibër zhvatës” i mban institucionet mjaftueshëm të forta sa për të ruajtur rendin që paraziti të ushqehet i qetë, por mjaftueshëm të dobëta sa për të mos penguar apo ndëshkuar abuzimet e tij.

Logjika e parazitit është, në thelb, një rikthim i rafinuar te banditi endacak. Ai nuk ka interes ta forcojë organizmin që e mban gjallë, por vetëm ta mbajë funksional aq sa të vazhdojë të ushqehet prej tij. Ndryshe nga modeli i “banditit të qëndrueshëm” ku sunduesi investon në rritjen e burimit për të përfituar më shumë në të ardhmen, paraziti operon me një horizont më të shkurtër dhe më oportunist, maksimizon nxjerrjen sot, pa u shqetësuar për qëndrueshmërinë nesër. Ai nuk investon në forcimin e “trupit” që e ushqen, por nxjerr maksimumin sot, ndërsa përgatit daljen nesër, duke transferuar kapitalin, familjen dhe sigurinë jashtë. Ai nuk ndërton institucione të forta, sepse ato kufizojnë abuzimin; nuk investon në zhvillim afatgjatë, sepse përfitimi i tij nuk është i lidhur me të ardhmen e vendit; dhe në momentin që organizmi dobësohet tej mase, ai është gati të zhvendoset diku tjetër, duke lënë pas një trup të shteruar. Në këtë mënyrë, territori nuk shndërrohet në një burim që zhvillohet, por në një hapësirë që zhvatet e konsumohet gradualisht, derisa të mos ketë më çfarë të ofrojë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo