Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës në bashkëpunim me Shoqatën e Pedagogëve – Tetovë, organizoi Konferencën e Dytë Shkencore – Profesionale “Arsimi dje, sot dhe nesër” ku morën pjesë profesorë universitarë, studiues dhe mësimdhënës nga fusha e arsimit.
Konferenca u hap nga dekani i Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e arsimit dhe rolin e mësuesit në shoqërinë bashkëkohore. Ai u shpreh se, “kjo konferencë ndërton një urë mes traditës dhe sfidave të kohës moderne. Arsimi i djeshëm ishte mision; ai i sotmi është përgjegjësi profesionale dhe institucionale; ndërsa arsimi i së nesërmes kërkon vizion strategjik”. Sipas tij, në kohën e transformimeve teknologjike dhe të inteligjencës artificiale, mësuesi nuk është vetëm transmetues i dijes, por edhe mentor, udhërrëfyes dhe ndërtues i kompetencave të shekullit XXI.
Kryetari i Shoqatës së Pedagogëve – Tetovë Naim Kurtishi, vlerësoi bashkëpunimin me Universitetin e Tetovës, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes së kuadrove të reja që do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së arsimit. Ndër të tjera ai vuri në pah rëndësinë e ditës së mësuesit dhe rolin e arsimit në zhvillimin e shoqërisë duke u shprehur mirënjohës dhe vlerësues ndaj mësuesve që u japin dritë fëmijëve tanë, të cilët do të jenë bartësit e së ardhmes.
Punimet e konferencës nisën me kumtesën e Prof. Dr. Xheladin Muratit, me temën “Futurologjia pedagogjike mes sfidave dhe pritshmërive”. Në prezantimin e tij ai theksoi se zhvillimi i arsimit duhet të shihet në një vazhdimësi kohore – nga e kaluara, përmes së tashmes, drejt së ardhmes. Duke iu referuar dokumenteve dhe të dhënave historike, ai nënvizoi se shkolla ndër vite ka shënuar arritje dhe suksese të rëndësishme. Sipas tij, teoria pedagogjike bashkëkohore mbështetet në konceptin ‘të mësojmë si të mësojmë’, duke e vendosur nxënësin në qendër të procesit edukativ. Në këtë kontekst ai prezantoi edhe disa metoda pedagogjike, si metoda Delfi, metoda S, metoda kompakt dhe metoda e skajimit, përmes të cilave shpjegoi rëndësinë e pedagogjisë futurologjike në parashikimin e zhvillimeve të ardhshme në arsim.
Gjatë konferencës u prezantuan edhe kumtesa nga Prof. Dr. Lulzim Mehmedi dhe Prof. Dr. Makfirete Ameti, Mr. Belgizar Kryeziu dhe Valbona Bunjaku, Prof. Dr. Besa Havziu-Ismaili dhe Doc. Dr. Afërdita Iljazi-Hoxha, Doc. Dr. Bajram Selmani, Prof. Dr. Teuta Ramadani-Rasimi, Prof. Dr. Arita Agai, si dhe nga studiues të tjerë të fushës së arsimit.
Konferenca u përmbyll me diskutime rreth temave të trajtuara, ndërsa organizatorët theksuan se kjo veprimtari kontribuon në avancimin e debatit shkencor dhe në zhvillimin e praktikave bashkëkohore në arsim.


