Në kujtim të përjetshëm të Prof. Dr. Ramiz Abdylit

Qemal Musliu

Pas një kohe nga ndarja nga jeta e
Prof. Dr. Ramiz Abdyliut, e kujtojmë me
mall e respekt të thellë dhe mirënjohje
një nga figurat më të shquara të dijes,
shkencës dhe arsimit shqiptar. Prof. Dr.
Ramiz Abdyliu lindi në Llojan të
Kumanovës. Ai kreu arsimin fillor dhe të
mesëm, vazhdoi studimet në Shkup dhe
më vonë në Prishtinë, ku krijoi themelet
e një karriere të jashtëzakonshme si
historian, profesor dhe studiues i thellë i
historisë shqiptare. Gjatë jetës, ai i
kushtoi punës së tij hulumtimit të së
kaluarës dhe promovimit të dijes, duke
lënë pas vepra të rëndësishme
shkencore dhe mendimore. Gjatë
karrierës së tij ai punoi si mësues,
profesor historie e sociologjie, gazetar dhe studiues, duke dhënë një kontribut të
jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit dhe mendimit kritik në trojet shqiptare. Në
vitin 2002 ai u emërua rektor i Universitetit të Tetovës, një rol që e ushtroi me
përkushtim dhe dinjitet për të çuar përpara misionin e dijes dhe emancipimit
intelektual të studentëve dhe kolegëve të tij.
Ramiz Abdyliu ishte një burrë që jetën e tij ia kushtoi dijes, arsimit dhe kulturës
shqiptare. Kontributi i tij në fushën e arsimit ishte i jashtëzakonshëm. Ai besonte
thellësisht se përparimi i një kombi fillon me edukimin e brezave të rinj. Përmes
punës së tij të palodhur, ai ndihmoi në ngritjen e standardeve arsimore, në përhapjen
e dijes dhe në kultivimin e mendimit kritik. Shumë nxënës, studentë dhe
bashkëpunëtorë e kujtojnë si një mentor frymëzues, i cili nuk kurseu as kohë e as
energji për të mbështetur të tjerët në rrugën e tyre drejt dijes.
Në fushën e kulturës dhe shkencës, ai la gjurmë të thella. Ramizi e kuptonte
rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë sonë kulturore. Ai
kontribuoi me përkushtim në promovimin e vlerave shqiptare, duke e parë kulturën si
themel të unitetit dhe zhvillimit shoqëror. Puna e tij shkencore dhe angazhimi
intelektual ishin dëshmi e një mendjeje të hapur, të thellë dhe vizionare.
Por mbi të gjitha, Ramiz Abdyliu ishte njeri me zemër të madhe. Ai ishte mik besnik,
këshilltar i urtë dhe bashkëbisedues i dashur. Në rrethin familjar ai ishte shtyllë e
fortë, bashkëshort dhe prind i përkushtuar, gjysh i dashur dhe shembull i
ndershmërisë, punës dhe përulësisë. Familja ishte qendra e jetës së tij, vendi ku ai
gjente forcë dhe gëzim. Ai ishte krenaria e familjes së tij, krenaria e Llojanit dhe e të
gjithë dashamirëve që patën fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.

Në historinë e shkencës dhe dijes kombëtare, emri i tij do të përmendet gjithmonë me
respekt të veçantë. Dy nga personalitetet më të shquara të shkencës dhe mendimit
kombëtar nga Llojani ishin Prof. Dr. Asllan Selmani dhe Prof. Dr. Ramiz Abdyli – dy
figura që me punën, vizionin dhe përkushtimin e tyre i dhanë dimension të ri zhvillimit
intelektual shqiptar. Ata përfaqësonin një brez studiuesish që e ngritën dijen në
piedestal dhe e vendosën shërbimin ndaj kombit mbi çdo interes personal.
Sot, ndërsa e kujtojmë me mall dhe respekt, ndiejmë boshllëkun që ka lënë pas.
Megjithatë, trashëgimia e tij jeton në veprat që la, në njerëzit që frymëzoi dhe në
vlerat që mbolli në shoqëri. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në zemrat tona dhe në
historinë e komunitetit tonë.
Shpirti i tij në Dritën e Përjetësisë. Emri dhe vepra e Ramiz Abdyliut do të jetojnë për
jetë dhe do të jenë Dritë e dijes dhe Dritë e ardhmërisë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo