Ndërhyrje e suksesshme e Policisë Kibernetike: Shpëtohet një i mitur pas paralajmërimit për vetëvrasje në rrjetet sociale

Sektori për Krim Kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme njofton se gjatë 24 orëve të kaluara, gjatë aktiviteteve të rregullta për monitorimin e hapësirës digjitale, është detektuar një postim në një rrjet social me përmbajtje që tregonte synim të mundshëm për vetëvrasje nga ana e një përdoruesi të mitur.

​Menjëherë pas marrjes së informacioneve, u veprua me urgjencë dhe në mënyrë të koordinuar, duke ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme për përcaktimin e identitetit dhe vendndodhjes së personit.

Brenda një kohe të shkurtër përdoruesi u gjet, u zhvillua një bisedë me të dhe u konstatua se personi është i sigurt dhe në gjendje të mirë. Për ngjarjen janë njoftuar edhe prindërit, të cilët janë njohur me gjendjen e plotë dhe hapat e mëtutjeshëm.
​Kjo ngjarje thekson edhe një herë rëndësinë e monitorimit të kujdesshëm të sjelljes së të rinjve në hapësirën digjitale. Ju bëjmë apel prindërve të mbajnë komunikim të rregullt dhe të hapur me fëmijët e tyre, të tregojnë interes për aktivitetet e tyre në rrjetet sociale dhe të reagojnë në kohë kur vërejnë tërheqje, shqetësim, postime kërcënuese ose shqetësuese dhe sjellje të tjera të pazakonta.

​Gjithashtu, u drejtojmë apel edhe miqve, shokëve të shkollës dhe të gjithë përdoruesve të rrjeteve sociale: nëse vërejnë postime me përmbajtje që lë të kuptohet vetëlëndimi, dëshpërimi apo paralajmërimi për vetëvrasje, të shfrytëzojnë menjëherë mekanizmat për raportim në vetë platformën, dhe nëse u dihet identiteti i personit, të njoftojnë prindërit, kujdestarin, mësuesin, një person tjetër të rritur ose stacionin më të afërt policor.

​Reagimi në kohë mund të shpëtojë jetë njeriu. Përgjegjësia e përbashkët, vëmendja dhe kujdesi janë kyç në parandalimin e tragjedive. Sektori për Krim Kompjuterik mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e qytetarëve në hapësirën digjitale dhe do të vazhdojë me aktivitete të shtuara në drejtim të zbulimit të hershëm dhe parandalimit të dukurive të rrezikshme.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo