Gjatë dy javëve të fundit, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur 21 kallëzime penale për gjithsej 25 vepra penale të kryera në lidhje me dhunën në familje, nga të cilat gjashtë kallëzime penale janë ngritur me procedurë të shpejtë.
Përveç kësaj, në rajonin e SPB Shkup janë ngritur pesë kallëzime penale për dhunë në bazë gjinore, nga të cilat tre janë për veprën penale “rrezikim i sigurisë” dhe dy kallëzime penale për veprën penale “përndjekje”.
Në këtë rast, janë shqiptuar pesë masa paraburgimi, si dhe një masë “kujdesi” në rajonin e SPB Shkup.
Pjesa më e madhe e veprave penale lidhur me dhunën në familje janë “rrezikim i sigurisë” – 11 dhe 10 vepra penale “lëndim trupor”. Ndërkaq, janë regjistruar nga një kallëzim penal për “lëndim të rëndë trupor”, “moszbatim të vendimit gjyqësor”, “heqje të kundërligjshme të lirisë”, “tentim vrasje” dhe “sulm seksual dhe përdhunim”. Për veprën “tentim vrasje” në Shkup para disa ditësh, kryerësi është privuar nga liria dhe po ndërmerren masa intensive për dokumentimin e plotë të rastit dhe mbylljen e tij me kallëzim përkatës penal.
Sa i përket sektorëve për punë të brendshme, SPB Shkup ka paraqitur pesë kallëzime penale, SPB Kumanovë dy, SPB Shtip tre, SPB Ohër katër, SPB Strumicë pesë kallëzime penale, ndërsa nga një kallëzim penal kanë paraqitur SPB Tetovë dhe SPB Veles.
Përndryshe, në periudhën e theksuar dyjavore, në territorin e të gjithë shtetit janë denoncuar 39 ngjarje lidhur me vepra penale të dhunës në familje dhe 63 ankesa lidhur me dhunën në familje.
Në krahasim me disa vitet e fundit, është e rëndësishme të potencohet se në vitin 2025 shënojmë një trend të rritjes së numrit të masave të shqiptuara “paraburgim” në kuadër të kallëzimeve penale me procedurë të shpejtë, i cili vazhdon edhe në vitin 2026, veçanërisht pas ndryshimeve ligjore.