Dje, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski, sërish ka provokuar shqiptarët duke mos e fshehur mllefin ndaj gjuhës shqipe, ku për kamerat e sigurisë “Safe City”, ka thënë se sms-porositë të dërgohen vetëm në maqedonisht!
Ai në një prononcim publik në Gjykatën Kushtetuese tha prerazi se në Maqedoni “gjuhë e vetme zyrtare është maqedonishtja”!
Darko dhe gjithë politika e qeverisë me këtë qëndrim urrejtës ndaj gjuhës shqipe nuk janë duke respektuar ligjet edhe ato pak të drejta që i kanë fituar shqiptarët me gjak e sakrifica.
Duke e përdorur kushtetutën si pronë private për t’i hequr shqiptarëve të drejtën minimale të përdorimit të gjuhës shqipe në komunikacion, në vende publike apo në administratë, në mënyrë të njëanshme shmang dhe shkel identitetin gjuhësor dhe kombëtar të shqiptarëve përmes politikës së kordinuar antishqiptare po çimentos supremacinë e shtetit e të pushtetit maqedon mbi të tjerët.
Koordinimi i qëndrimeve antishqiptare kundër gjuhës dhe kulturës shqiptare nga eksponentë qeverisë dhe jo vetëm, si Kostadinovski, Janevska, Dimitrievski, Fillkov, ku kohëve të fundit janë bërë objekt i një fushate shfrenuese denigrimi dhe urrejte ndaj gjuhës shqipe me veprime dhe qëndrime të një shovinizmi të hapur që ka filluar që nga koha e qoftëlargut, kur shqiptarët akuzoheshin për nacionalizëm dhe irredentizëm.
Qëndrimet shoviniste dhe albanofobe nga eksponentë të qeverisë dhe nga institucione të pavarura të ndarjes së drejtësisë si Gjykata Kushtetuese, kanë miratimin e despotit Micko në këto politika që shkelin dhe shpërfillin të drejtat e shqiptarëve të garantuara nga ligjet që edhe ata vetë i kanë miratuar.
Kjo është qeveria e ndryshimit që VREDI na e “shiti” për ndryshim për së mbari, që nuk erdhi as për dy vite qeverisje mes komitëve dhe pakorëve vredistë, por që u kthye në regres dhe mllef kundër gjuhës dhe identiteti kombëtar shqiptar.
Prononcimet e qeveritarëve shovinistë maqedonë pa maska si Fillkovi apo serbofili Maksi, Janevska dhe Kostadinovski, që kanë dalë hapur kundër gjuhës shqipe dhe përdorimit të saj, na kujton kohën e persekutimit dhe hegjemonizmit serbomadh në Kosovë e Maqedoni, kur titistët e vjetër e të rinje pas demonstratave të vitit 1981, filluan në Maqedoni një fushatë të egër të represionit policor ndaj shqiptarëve, të cilët solidarizoheshin me kërkesat e ligjshme të shqiptarëve në Kosovë me parullën “Kosova Republikë” si parulla nacionaliste dhe irredentiste!
VREDI, si anëtare e koalicionit qeverisës në këtë situatë, ka zgjedhur të hesht dhe nuk guxon t’i ngrej si çështje për diskutim ndaj qëndrimeve shovene të kolegëve të tyre të koalicionit, ku gjuha shqipe është bërë objekt i goditjes dhe i mllefit, i mohimit dhe i përdhosjes nga komitët e koalicionit qeveritar, ku nga frika e dëbimit nga koalicioni qeverisës apo ca më keq, e “kapjes për veshi” nga ana e kryekomitit Micko, ata kanë zgjedhur të rrinë urtë e butë si lojalë dhe “shfalerka” të papara të bordellos qeveritare.
Pikërisht tani, është momenti i kthesës së madhe për vredistët nëse u ka mbetur një çik dinjitet, të dalin nga ajo qeveri shoviniste antishqiptare, që shkel dhe mohon identitetin shqiptar ashtu siç kanë vepruar paraardhësit e tyre titistë dekada më parë, në të kundërtën do të konsiderohen si puthadorë dhe dezertorë të çështjes shqiptare.
Medai Shaholli