Miteva: Konferencë ndërkombëtare për aspektet institucionale dhe klinike pas zjarrit në Koçan

Para nesh është, për fat të keq, përvjetori i tragjedisë në Koçan. Ngjarje e cila si atëherë, ashtu edhe sot, zgjon të njëjtën ndjenjë dhimbjeje dhe përgjegjësie të thellë. Ishte një ditë kur koha ndaloi për shumë familje, por njëkohësisht ishte edhe momenti që tregoi fuqinë e solidaritetit. Në orët më të vështira u mobilizuan punonjësit shëndetësorë, institucionet, shërbimet dhe komuniteti lokal. Shteti reagoi, ndërsa partnerët tanë treguan se solidariteti nuk është vetëm parim, por mbështetje konkrete kur është më e nevojshme.

Në ato orë të vështira, falë përgjigjes së koordinuar të shtetit dhe mbështetjes nga sistemet shëndetësore evropiane dhe rajonale, u shpëtuan jetë njerëzish dhe u mundësua trajtimi për të lënduarit më rëndë.

Për Qeverinë, një vit më vonë, qëllimi nuk është vetëm kujtimi. Qëllimi është të tregojmë përgjegjësi dhe të krijojmë një sistem i cili do të jetë edhe më i fortë, më i organizuar dhe më i gatshëm për t’u përballur me situata krize.

Pikërisht për këtë arsye dua ta informoj opinionin për Konferencën Ndërkombëtare “Aspektet institucionale dhe klinike dhe zgjidhjet pas zjarrit në Koçan – një vit më pas”, e cila do të mbahet më 14 mars dhe do të bashkojë përfaqësues të institucioneve, ekspertë shëndetësorë, organizata ndërkombëtare dhe partnerë humanitarë. Qëllimi i konferencës është të bëhet një analizë gjithëpërfshirëse e reagimit ndaj tragjedisë, që nga ndërhyrja fillestare dhe shpëtimi i jetëve, deri te trajtimi afatgjatë, rehabilitimi dhe zgjidhjet sistemore për të ardhmen.

Një vlerë e veçantë e kësaj konference është prania e 37 mjekëve dhe ekspertëve mjekësorë nga jashtë, të cilët në ditët më të vështira pas tragjedisë në Koçan morën pjesë drejtpërdrejt në trajtimin e pacientëve.

Me ftesë të shtetit tonë, në Shkup do të vijnë mjekë nga klinika dhe qendra shëndetësore nga disa vende evropiane, pikërisht nga ato institucione që hapën dyert e tyre kur Maqedonia kishte më së shumti nevojë. Prania e tyre në këtë konferencë është një mundësi që përvojat nga puna e përbashkët të shndërrohen në njohuri, protokolle dhe zgjidhje sistemore që do të kontribuojnë në përgatitje më të mirë të sistemeve shëndetësore në të ardhmen.

Ngjarja do të fillojë me një hapje solemne institucionale, pas së cilës do të vijojë një moment përkujtimor, si rikujtim se pas çdo tragjedie qëndrojnë tregime njerëzore.

Në kuadër të konferencës do të mbahen disa panele tematike kushtuar aspekteve të ndryshme.

Do të flasim për mekanizmin evropian të mbrojtjes civile dhe përgjigjen ndërkombëtare – koordinimin, solidaritetin dhe përvojat. Në këtë panel do të diskutohet për aktivizimin e mekanizmave evropianë të ndihmës, përgjigjen ndërkombëtare mjekësore dhe transferimin e pacientëve, si dhe për koordinimin ndërmjet shtetit, institucioneve dhe sistemit shëndetësor.

Fokus i veçantë do t’i kushtohet aspekteve logjistike, ligjore dhe organizative të operacioneve të tilla, si dhe mësimeve të nxjerra nga kjo përvojë.

Më tej, do të fokusohemi në përgjigjen shëndetësore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe trajtimin akut të djegieve. Ky panel do të trajtojë aspektin mjekësor të krizës, nga triazhi fillestar dhe reagimi urgjent mjekësor, deri te trajtimi kompleks i djegieve të rënda. Do të shqyrtohen aspektet kirurgjikale dhe pulmonologjike të trajtimit, si dhe koordinimi ndërmjet klinikave dhe institucioneve shëndetësore në vend dhe në rajon.

Poashtu, paneli i tretë do t’i kushtohet procesit afatgjatë të rikuperimit të pacientëve. Do të flitet për bashkëpunimin multidisiplinar në trajtim, rehabilitim, mjekësinë fizikale dhe rikthimin funksional të pacientëve, si dhe për mbështetjen psikologjike dhe psikiatrike. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ndjekjes afatgjate dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së të mbijetuarve.

Do të diskutohet gjithashtu se si nga përvoja arrihet deri te zgjidhjet e reja, për rolin e komunitetit, institucioneve dhe mësimet e nxjerra. Do të trajtohen kapacitetet spitalore në kushte krize, standardet evropiane, si dhe roli i organizatave humanitare dhe mbështetja e pakursyer e komunitetit.

Në fund, në sesionin përmbyllës, do të prezantohen zgjidhjet e ardhshme dhe hapat sistemore që po ndërmarrin institucionet.

Një vit pas tragjedisë, Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj premtimit se mbështetja për viktimat, të lënduarit, familjet e tyre dhe për sistemin shëndetësor nuk do të jetë e njëhershme, por e vazhdueshme dhe sistemore.

Që nga dita e parë u zotuam se shteti do të qëndrojë pas procesit të trajtimit, rehabilitimit dhe rikuperimit, por edhe se tragjedia do të shndërrohet në një shtysë për përmirësimin e kapaciteteve institucionale dhe gatishmërisë së sistemit. Ky premtim sot po realizohet përmes masave konkrete, bashkëpunimit me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe përmirësimit të vazhdueshëm të mekanizmave shëndetësorë dhe të menaxhimit të krizave.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo