Militantët paguhen, sporti braktiset – akuzojnë këshilltarët e listës “Më mirë për Tetovën”

Në seancën e 11-të të Këshillit të Komunës së Tetovës është miratuar llogaria përfundimtare për vitin 2025, mes kritikave të ashpra nga këshilltarët e iniciativës qytetare “Më mirë për Tetovën”, të cilët akuzojnë komunën për mungesë transparence dhe keqmenaxhim financiar.

Sipas të dhënave të prezantuara, të hyrat për vitin 2025 ishin planifikuar në rreth 14.9 milionë euro, ndërsa realizimi i tyre ka arritur vetëm në 11.7 milionë euro. Në të njëjtën kohë, realizimi i përgjithshëm i shpenzimeve ka mbetur në nivelin prej vetëm 57 për qind.

Këshilltarët opozitarë theksojnë se, ndonëse shumë zëra buxhetorë nuk janë realizuar, fondet për kontratat e të punësuarve të përkohshëm, të cilët ata i cilësojnë si “militantë partiakë”, në vlerë prej 570 mijë eurosh janë shpenzuar plotësisht. Sipas tyre, kjo shumë përputhet identikisht me buxhetin e planifikuar për të njëjtën kategori në vitin 2026.

Një tjetër pikë kritike mbetet sektori i sportit. Nga 32.500 euro të planifikuara, janë realizuar vetëm 5.000 euro, çka sipas reagimit tregon mungesë të theksuar prioritizimi për aktivitetet sportive dhe për të rinjtë. Në këtë kontekst, këshilltarët kritikojnë edhe faktin që komuna kërkon donacione për mirëmbajtjen e fushave sportive, ndërkohë që disa prej tyre, si rasti i hapësirave pranë gjimnazit, janë shndërruar në parkingje.

Ata ngritën shqetësim edhe për përdorimin e hapësirave sportive ekzistuese, duke theksuar se fusha e Istikballit mbetet e mbyllur gjatë fundjavave për fëmijët dhe komunitetin.

Një nga çështjet më problematike, sipas këshilltarëve të “Më mirë për Tetovën”, mbetet mungesa e informacionit për detyrimet e qytetarëve dhe bizneseve ndaj komunës, si dhe për borxhin aktual të institucionit, i cili, siç pretendojnë ata, vazhdon të operojë me xhirollogari të bllokuar.

Ata akuzojnë sektorin e financave për refuzim të përgjigjeve ndaj pyetjeve të ngritura në seancë, duke e cilësuar këtë si mungesë të thellë transparence dhe si një veprim që, sipas tyre, nënçmon rolin e Këshillit Komunal dhe interesin e qytetarëve. (koha.mk)

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo