Mickoski nga Ohri: Filloi rikonstruksioni dhe modernizimi i aeroportit “Shën Apostulli Pavli” (VIDEO)
Kryeministri Hristijan Mickoski sot mori pjesë në shënimin e fillimit të punimeve për rikonstruksionin dhe modernizimin e aeroportit “Shën Apostulli Pavli” në Ohër, duke e cilësuar këtë si një moment historik për rajonin.
Ai theksoi se investimi do të rrisë kapacitetet dhe cilësinë e shërbimeve në aeroport, me pritshmëri që punimet të përfundojnë brenda afatit të parashikuar. Sipas tij, zhvillimi i infrastrukturës ajrore është kyç për rritjen e turizmit dhe ekonomisë lokale.
Mickoski bëri të ditur se në dy muajt e parë të vitit është regjistruar rritje e ndjeshme e numrit të pasagjerëve – rreth 30% në aeroportin e Shkupit dhe rreth 20% në atë të Ohrit. Ai shtoi se pritet një rritje dyshifrore e trafikut ajror gjatë gjithë vitit.
Gjithashtu, ai njoftoi se qeveria është në negociata të avancuara me një tur-operator ndërkombëtar, i cili pritet të sjellë rreth gjysmë milioni netë qëndrimi jashtë sezonit turistik. Sipas analizave, turistët e këtij operatori shpenzojnë mesatarisht rreth 170 euro në ditë, që do të sillte rreth 85 milionë euro të ardhura për rajonin.
Ky zhvillim pritet të ndihmojë sektorin e turizmit dhe hotelerisë, duke mundësuar punësim të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, jo vetëm në sezonin veror.
Në fund, Mickoski uroi që punimet të përfundojnë sa më shpejt dhe qytetarët të përfitojnë nga ky investim i rëndësishëm.