“Qëndrimi ynë është i qartë dhe parimor që nga fillimi: ne do ta respektojmë ligjin ashtu siç është. Ligji duhet të respektohet”, tha Hristijan Mickoski gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Podium” në TV Ora 24 transmeton Tetovasot.
Kryeministri Mickoski theksoi se sipas ligjit, paga minimale do të rritet për pak më shumë se 1.600 denarë dhe do të arrijë mbi 26.000 denarë.
“Në këtë kuadër, rritja ligjore e pagës minimale për pak mbi 1.600 denarë na çon në një pagë minimale mbi 26.000 denarë. Këtë e kemi prezantuar tashmë si informacion në Këshillin Ekonomiko-Social, më pas është miratuar si informacion në mbledhjen e Qeverisë dhe Ministria e Ekonomisë dhe Punës do ta publikojë në faqen e saj zyrtare. Pra, ky proces ka përfunduar. Ne kemi një qëndrim parimor dhe themi se kur punëdhënësit dhe punëtorët të arrijnë marrëveshje, pasi bëhet fjalë për dialog bipartit, atëherë ne si Qeveri do ta mbështesim atë”, theksoi ai.
Sa i përket kërkesave të sindikatave, Mickoski deklaroi se as opozita dhe as sindikatat nuk kanë kredibilitet të flasin për këtë çështje. Sipas tij, LSDM ka qenë në pushtet për shtatë vite dhe, siç u shpreh ai, gjatë kësaj periudhe janë përmendur kryesisht për korrupsion dhe kriminalitet.
“Fakti që disa individë në një nga sindikatat janë të afërt me parti të caktuara politike dhe janë futur në ato ‘kënete politike’, është tashmë problem i tyre personal. Unë nuk mund të ndërhyj në këtë. Por strategjia është e qartë – është strategjia ‘mes kudhrës dhe çekanit’. Nga njëra anë opozita do të kërkojë masa populiste që do të zbrazin buxhetin, ndërsa nga ana tjetër përmes disa përfaqësuesve në udhëheqjen e një sindikate do të kërkohet rritje e shpenzimeve sociale. Kjo do të thotë se nga njëra anë shpenzoni buxhetin me politika populiste dhe nga ana tjetër kërkoni rritje të transferimeve sociale nga buxheti, duke menduar se kështu do ta vënë Qeverinë nën presion dhe ajo do të humbasë mbështetjen tek qytetarët. Por nuk mendoj se kjo strategji është e drejtë, sepse as njëra palë dhe as tjetra nuk kanë kredibilitet”, deklaroi Mickoski raporton Tetovasot.
Ai shtoi se gjatë shtatë viteve të qeverisjes së SDSM-së, sipas tij, për punën e tyre janë dëgjuar vetëm akuza për krim, korrupsion dhe tradhti kombëtare, ndërsa sindikatat, sipas tij, një ditë e lavdërojnë qeverinë dhe ditën tjetër protestojnë dhe bllokojnë komunikacionin.