Mickoski: Fillon ndërtimi i kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”, investim prej 42 milionë eurosh

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi sot fillimin e ndërtimit të kampusit të ri modern të Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, duke e cilësuar projektin si një investim strategjik për të ardhmen e arsimit të lartë në vend.

Sipas tij, qeveria ka siguruar gjithsej 42 milionë euro për realizimin e këtij projekti. Prej tyre, 40 milionë euro janë të dedikuara për ndërtimin e objekteve, ndërsa rreth 2 milionë euro për mbikëqyrjen e punimeve, me qëllim që procesi të zhvillohet në mënyrë profesionale, cilësore dhe transparente.

Kampusi i ri do të ndërtohet në një sipërfaqe prej rreth 31 mijë metrash katrorë dhe do të përfshijë objekte moderne universitare, amfiteatro, hapësira për studentë, salla sportive, pishinë dhe infrastrukturë bashkëkohore që do t’u përgjigjet nevojave të arsimit të lartë modern.

Mickoski theksoi se investimi është pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e arsimit në vend. Ai nënvizoi se një ekonomi e fortë nuk mund të ekzistojë pa universitete të forta dhe pa të rinj të arsimuar e të motivuar.

“Kampusit i ri nuk do të jetë vetëm një vend për ligjërata dhe provime, por një hapësirë ku do të krijohet dije, do të lindin ide dhe ku të rinjtë do ta ndërtojnë të ardhmen e tyre”, u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se qëllimi i qeverisë është që të rinjtë të kenë mundësi të studiojnë, të zhvillohen dhe të ndërtojnë karrierën e tyre në vendin e tyre, ndërsa universitetet të shndërrohen në qendra të dijes, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Fjalimi komplet i kryeministrit Mickovski

Sot vendosim themelet e diçkaje që është shumë më tepër se një projekt ndërtimor. Sot vendosim themelet e së ardhmes.

Me fillimin e ndërtimit të kampusit të ri dhe modern të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, e konfirmojmë vendosmërinë tonë të fortë – për të investuar në dije, tek të rinjtë dhe në zhvillimin e arsimit të lartë.

Ky projekt paraqet një investim strategjik në të ardhmen e shtetit. Një investim që do të krijojë kushte bashkëkohore për arsim, punë shkencore dhe zhvillim akademik.

Qeveria solli vendim me të cilin janë siguruar gjithsej 42 milionë euro për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Prej tyre, 40 milionë euro janë të dedikuara për ndërtimin e objekteve, ndërsa rreth 2 milionë euro për mbikëqyrjen e ndërtimit, me qëllim që i gjithë procesi të realizohet në mënyrë profesionale, cilësore dhe transparente.

Kampusi i ri do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 31 mijë metrash katrorë dhe do të përfaqësojë një kompleks akademik modern, me objekte bashkëkohore, amfiteatro, hapësira për studentët, salla sportive, pishinë dhe infrastrukturë që do t’i përgjigjet nevojave të arsimit të lartë modern.

Por ky investim është pjesë e një fotografie më të gjerë – fotografia e arsimit që po e ndërtojmë.

Vizioni ynë është i qartë: arsimi duhet të jetë themeli i zhvillimit të shtetit. Nuk ka ekonomi të fortë pa universitete të forta. Nuk ka shtet modern pa të rinj të arsimuar dhe të motivuar.

Prandaj paralelisht investojmë në modernizimin e shkollave, në përmirësimin e kushteve të punës për mësuesit dhe profesorët, në programe të reja arsimore, në digjitalizimin e mësimit dhe në lidhjen e arsimit me nevojat e ekonomisë moderne.

Qëllimi ynë është i qartë – të rinjtë të kenë mundësinë të studiojnë, të zhvillohen dhe të ndërtojnë karrierën e tyre këtu, në vendin e tyre.

Universitetet duhet të jenë qendra të dijes, kërkimit dhe inovacionit. Vende ku krijohen ide, ku zhvillohen teknologji të reja dhe ku përgatiten gjenerata që do ta çojnë shtetin përpara.

Universiteti “Nënë Tereza” është një pjesë e rëndësishme e këtij rrjeti akademik. Me këtë kampus të ri i japim mundësi të zhvillohet edhe më fuqishëm dhe të bëhet një qendër bashkëkohore arsimore që do t’u shërbejë studentëve, komunitetit akademik dhe gjithë shoqërisë.

Ky nuk do të jetë vetëm një vend për ligjërata dhe provime.

Kjo do të jetë një hapësirë ku do të krijohet dije, ku do të lindin ide, ku të rinjtë do ta ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Sepse forca e vërtetë e një shteti nuk matet vetëm me numra dhe infrastrukturë.

Ajo matet me dijen, me arsimin dhe me potencialin e të rinjve të tij.

Sot nuk fillojmë vetëm ndërtimin e objekteve.

Sot fillojmë ndërtimin e së ardhmes.

Dhe për këtë jam i bindur se ky kampus do të bëhet vendi ku do të krijohen shkencëtarë të rinj, inxhinierë, profesorë, liderë dhe vizionarë.

Qoftë i mbarë fillimi i këtij projekti të madh.

Qoftë me fat kampusi i ri i Universitetit “Nënë Tereza”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo