Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me Ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, realizuan sot vizitë në terren në lagjen Dizhon, ku po zhvillohet një nga ndërhyrjet më të plota infrastrukturore në komunë.
Projekti përfshin 18 rrugë dhe ndodhet në fazën përfundimtare të realizimit. Investimi përfshin ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimit fekal, rrjetit të ri të ujësjellësit dhe rikonstruksionin e plotë të rrugëve, duke i dhënë kësaj lagjeje një standard të ri jetese.
Rrjeti i kanalizimit fekal është përfunduar plotësisht në të gjitha rrugët dhe degëzimet anësore, ndërsa rrjeti i ujësjellësit është drejt përfundimit, me mbi 70% të punimeve të realizuara. Pas përmbylljes së plotë të ujësjellësit, do të realizohet pranimi teknik nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, si hap formal drejt përfundimit të investimit. Faza e fundit do të jetë asfaltimi i të gjitha rrugëve të përfshira në projekt.
“Kjo është punë që bëhet me ritëm, me plan dhe me rezultate të matshme. Dizhoni po transformohet nga themeli, me infrastrukturë moderne dhe standard që qytetarët e meritojnë,” theksoi Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, vlerësoi rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar se investimet në infrastrukturë bazë janë themel për zhvillim të qëndrueshëm dhe cilësi më të lartë të jetës për qytetarët. Ai nënvizoi se ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror, si model i koordinimit institucional në funksion të interesit publik.
Me përfundimin e kësaj faze, projekti në Dizhon do të mbyllet plotësisht, duke e pajisur lagjen me infrastrukturë moderne, funksionale dhe të qëndrueshme.


