Nën akuzën keqpërdorim të procedurave të furnizimeve publike, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe punë të pandërgjegjshme në shërbim, në Gjykatën Themelore të Tetovës u mbajt seanca e radhës gjyqësore për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës. Për veprën në fjalë akuzohen katër persona Haki Fazliu ish drejtor, Artan Arsllani përgjegjës i komisionit për furnizime, Bajram Muça inxhinier dhe Sejdi Shasivari pronar i kompanisë UPC që kryen punimet në objekt. Ata ngarkohen për shpërdorim të mbi 11 milion eurove.
Në seancën e sotme morën pjesë dy ekspertë të jashtëm, Dushanka Popova, inxhiniere dhe Jane Damjanski ekspert ekonomik. Në dëshminë e tyre ata thanë se gjatë ndërtimit të objektit nuk ka pasur shtim të sasisë së punimeve mbi atë që është e lejuar ligjërisht, dhe se nuk ka pasur ndryshime të pozicioneve. Sipas tyre ka pasur vetëm ndryshime të vëllimit të punës, gjatë kryerjes së punimeve, në cilësinë e punimeve të paparashikuara, por që gjithnjë sipas tyre, nuk kanë ndikuar në ndryshimin e çmimit.
Seanca e sotme ka përfunduar vetëm me dëgjimin dhe marrjen në pyetje të dy ekspertëve të lartpërmendur, dhe sipas gjykatësit të lëndës, e tillë do të jetë edhe seanca e radhës ku para trupit gjykues mbrojtësve dhe prokurorit, pritet të paraqiten ekspertë të tjerë.
Edhe sot, në seancë nuk u paraqitën përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës Seanca e radhës u caktua për në 20 prill në ora 10:00./Alsat.mk.