Shkruan: Merxhan Jakupi
Kur Perandoria Osmane, në fillim të viteve të shekullit XX, ishte duke dhënë shpirt, pas humbjes së shteteve të Lindjes islame nga fuqitë e mëdha evropiane, ajo kishte nevojë për forca ushtarake. Sulltani kishte dërguar një toger shqiptar për të rekrutuar ushtarë nga katundet e Malësisë së Sharrit. Qatipi, së bashku me togerin, ishin ngjitur maleve të katundeve të Sharrit për të rekrutuar djemtë malësorë në ushtrinë osmane.
Në katundin Veshallë, dhjetëra djem të rinj u rekrutuan për ushtarë dhe nizamë. Ndër këta djem ishin Nijazi Murati dhe dy vëllezërit, Rexhepi dhe Jusufi. Imami i katundit i kishte thënë Qatipit se ishte e padrejtë të rekrutoheshin tre vëllezër nga një familje.
Këta rekrutë u mobilizuan në periudhën 1900–1905, një nga periudhat më dramatike që shënonte fundin, gjegjësisht shpërbërjen e Perandorisë Osmane. Këta të rinj, ishin ndër gjeneratat e fundit që shkuan në ushtrinë osmane.
Nijazi Veliu, për më shumë se 14 vite, kishte shërbyer si ushtar dhe nizam në tokat e Perandorisë Osmane. Pas shumë betejave ku kishte marrë pjesë, ai ishte dalluar për trimëri. Ky trim malësor posedonte instinkt dhe gjak luftarak. Ai fitoi gradën “Bash Çavush”.
Në fund, Nijaziu mori pjesë në Luftën e Çanakalasë (Galipolit). Lufta e Çanakalasë ishte një nga betejat më të përgjakshme të Luftës së Parë Botërore. Në istikam, nga afër, ai kishte parë komandantin legjendar me prejardhje shqiptare, Mustafa Kemal Ataturkun. Ai konsiderohej si “Napoleoni i Azisë së Vogël”. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Mustafa Qemali ishte arkitekti dhe protagonisti i themelimit të Republikës moderne të Turqisë. Më pas ai u quajt “Ataturk” – Babai i Kombit.
Sipas oficerëve që kishte dëgjuar Nijaziu, komandanti disa herë kishte folur në gjuhën shqipe me ushtarët arnautë. Në istikam, Nijaziu kishte dëgjuar zërin frymëzues të komandantit duke thirrur:
“Jurish, djema! Është nder dhe virtyt të luftosh për vatan. Jurish, trima! Vdekja më e ëmbël është kur vdes për atdhe”.
Në istikam, shpesh, vetëm disa metra përballë, dëgjohej zëri i ushtarëve të armikut.
Lufta e Çanakalasë, nën komandën e Mustafa Qemalit, ishte një nga betejat më të përgjakshme. Kjo luftë njihet si Lufta e Galipolit, ku morën pjesë ushtritë e Aleancës së Antantës. Në këtë luftë morën pjesë forcat ushtarake nga Britania e Madhe, Franca, Italia dhe shtete nën koloninë britanike si India dhe Australia. Në fronte dhe istikame mbetën të vrarë dhe të plagosur mijëra ushtarë.
Në Konferencën e Paqes në Versajë, kryeministri britanik David Lloyd George, duke folur për Ataturkun tha: “Ky rebel ballkanas e diktoi paqen dhe në fund na sfidoi dhe mori atë që deshi”.
Pas shumë peripecive dhe pjesëmarrjes në shumë beteja në tokat e Perandorisë Osmane, pas 14 vitesh shërbim, në vitin 1920, Nijaziu u kthye në katundin e tij të lindjes, Veshallë.
Kur ky veteran arriti në kufi, pa duke valuar një flamur të panjohur. Në hyrje ishte një pankartë: “Mirësevini në Mbretërinë Jugosllave”, si dhe stema “Kraljevina Jugoslavije”. I tmerruar dhe me shumë emocione, ai pa një armik të panjohur.
Në doganë nxori pasaportën osmane. Kur doganieri ia mori pasaportën, ia hodhi fytyrës dhe i tha: “Ju turkoshakë dhe anadollakë, tregoni sa të krishterë dhe armenë keni vrarë! Koha juaj ka perënduar. Pesë shekuj na mbajtët nën pranga dhe robëri. Tash, pas çlirimit të tokave tona të shenjta serbe, do t’ju kthehemi në bumerang”.
KTHIMI NË VENDLINDJE
Nijaziu, duke ardhur për në vendlindje, kishte parë rrugëve ushtarë dhe xhandarë me uniforma. Ai mendonte me vete “armiku i ri dallonte nga armiku i mëparshëm vetëm në çizme e uniformë, por kishte të njëjtat pushkë, madje më mizore dhe më të frikshme”.
Nijaziu as që e kishte menduar apo përfytyruar se, kur do të kthehej në vilajete, shqiptarët do të gjenin një armik të ri. Shqiptarët do të ndryshonin vetëm patronin, por do të vazhdonin të mbeteshin të robëruar.
Pas okupimit dhe aneksimit të vilajeteve dhe trojeve shqiptare nga forcat ushtarake serbe, regjimi famëkeq në të gjitha provincat, qytetet dhe katundet kishte instaluar stacione të xhandarmërisë serbe. Një stacion i tillë ishte vendosur edhe në katundin e tij, në Veshallë.
Katundi ishte djegur nga ushtria serbe. Ende dukeshin shtëpi dhe kasolle të djegura. Pas 14 vitesh larg vendlindjes, të gjitha ëndrrat dhe shpresat e tij ishin shuar. Nijaziu ishte plagosur rëndë në një betejë. Pas një operacioni pa anestezi, mjekët i kishin nxjerrë nga trupi 14 plumba. Peripecitë, vuajtjet dhe traumat që kishte përjetuar në tokat osmane i kishte harruar kur pa se uria, pandemia dhe varfëria kishin pllakosur të gjithë katundarët. Nijaziu ishte revoltuar dhe ishte lënduar shpirtërisht.
Në stacionin e xhandarmërisë kishte ardhur një xhandar serb, Pante Panteliq, me nofkën “Kukeci”. Nijaziu kishte dëgjuar se ky xhandar ushtronte dhunë, represalje dhe rrihte njerëz të pafajshëm. Ai kishte shkuar te një kushëri i cili, nga torturat dhe plagët e marra, ishte mbështjellë me një lëkurë deleje. Nga empatia dhe emocionet, Nijaziu u kishte thënë miqve: “Këtë bir kurve unë do ta vras”.
Kukeci kishte dëgjuar dhe e kishte thirrur në zyrë. Nijaziu, me revolver në brez, kur ishte afruar te stacioni, dy qentë e Kukecit kishin filluar të lehnin. Nijaziu kishte nxjerrë revolverin duke sharë qentë dhe pronarin e tyre.
Kukeci ishte vërsulur duke i thënë se mund t’i vinte prangat dhe ta dërgonte në qeli. Në stacion kishte një qeli ku Kukeci i fuste njerëzit dhe i torturonte. Nijaziu kishte nxjerrë revolverin dhe ishte drejtuar: “Unë 14 vite kam luftuar në beteja e istikame, duke vrarë armiq, dhe deri tash askush nuk më ka vënë pranga. S’ka burrë nëne që të më vërë pranga. E jo më një xhandar serb! Kurse ty do të të vras si lepur”.
Sipas të dhënave, prefekti i katundit dhe imami i kishin thënë Nijaziut se, nëse do të vritej Kukeci, ushtria dhe xhandarmëria do të bënin masakra duke vrarë dhe torturuar popullatën. Prefekti dhe imami i kishin thënë edhe xhandarit se ishte i rrezikuar dhe se më mirë do të ishte të largohej.
Kukeci ishte transferuar në rrafsh, në katundin Bugovinë të komunës së Tetovës. Ky xhandar gjakpirës dhe kriminel kishte vazhduar me represalje, duke torturuar me dhunë dhe rrahur banorët e katundit. Në fund, zhandari serb Kukeci përjetoi të njëjtin epilog si në këngën e Selman Kadriut. Në këtë katund doli një trim si Selman Kadriu. Ky trim, me emrin Iljaz Bugovija, në fund e vrau Kukecin, ashtu siç e kishte vrarë Selman Kadriu xhandarin serb, Milic Krsten.