Laporta thotë se Barcelona mund të bëjë transferime të mëdha në verë
Joan Laporta ka siguruar se FC Barcelona do të jetë në gjendje të bëjë një transferim të madh gjatë verës, pavarësisht dyshimeve të vazhdueshme rreth gjendjes financiare të klubit.
Ndërsa afrohen zgjedhjet për presidencën në Camp Nou, ai paralajmëroi gjithashtu se një fitore e rivalit të tij Victor Font mund ta vërë në pikëpyetje të ardhmen e trajnerit Hansi Flick.
Font ka deklaruar se nëse zgjidhet president, do ta largojë drejtorin sportiv Deco, një vendim që Laporta e ka kritikuar. Të hënën mbrëma, Flick reagoi duke e mbrojtur fuqishëm Decon, duke theksuar se bashkëpunimi mes tyre është shumë i mirë. Në një intervistë për Cadena Cope, Laporta përsëriti se vazhdimësia e Flick te Barcelona lidhet drejtpërdrejt me presidencën e tij.
“Unë nuk jam njeri që bëj paralajmërime. Flick tashmë ka folur. Ai është i lumtur duke punuar te Barça, në Barcelonë, me njerëzit në zhveshtore. Victor Font thotë se do ta largojë Decon, ndërkohë që koordinimi mes tij dhe Flick është shumë i mirë. Flick ka thënë se nuk do të ndihej rehat në atë situatë. Ne kemi bërë gjithçka që ky projekt të funksionojë”, tha Laporta.
Ai shtoi se Font është bërë kërcënimi kryesor për projektin sportiv të klubit. “Victor Font është bërë kërcënimi numër një për Barcelonën. Ai nuk ka projekt; dëshiron ta zëvendësojë Decon me tre persona që do të bëjnë punën e njërit. Është fyerje të thuhet se ata janë në nivelin e Decos. Ai është rrezik për një projekt sportiv që po funksionon,” deklaroi Laporta.