Vebi Bexheti
Me dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Rauf Ramadanit, veprimtarit dhe aktivistit të jetës politike, afaristit, sportistit dhe udhëheqësit të suksesshëm të ndërmarrjes publike komunale “Tetova”, në kohën kur kryetar komune ishte i ndjeri Alajdin Demiri.
Që në atë kohë, si kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës, Raufin e njoha për së afërmi, si menaxhues të shkëlqyeshëm në detyrën e drejtorit të kësaj ndërmarrjeje aq të rëndësishme për qytetin e Tetovës.
Do të mbahet mend menaxhimi i
shkëlqyeshëm i tij, e veçmas pastërtia e qytetit, që vështirë se mund të përsëritet ndonjëherë.
Në kohën kur, si pasojë e ngjarjeve tashmë të njohura për Flamurin kombëtar, bashkë me kryetarin Alajdin Demirin ramë në burg, Raufi ishte ai që çdo ditë na vinte për vizitë, duke na i lehtësuar ato ditë të vështira; mbase si drejtor që ishte, e dha kontributin e vet edhe në përmirësimin e ambientit brenda oborrit të burgut.
Raufi për tetovarët do të mbahet mend edhe për aktivitetin e tij në themelimin e skuadrës futbollistike “Shkëndija 79”, por edhe si futbollist i dalluar i kësaj skuadre tetovare, që edhe sot njihet si përfaqësuesja kryesore e futbollit shqiptar në vend dhe në arenën ndërkombëtare.
Raufi u bë i njohur edhe si afarist privat, fillimisht me ndërmarrjen tregtare “Erzana”, e më vonë me firmën “Swiss Bakery”, përmes së cilës edhe në qytetin tonë solli një standard të ri në cilësinë e prodhimit të bukës dhe produkteve të tjera brumore.
Ky intelektual nuk i la anash as rrjedhat politike të kohës. Shkrimet e tij në rrjetet sociale ishin të shpeshta, madje të përcjella me një dozë humori e satire, që godisnin fenomenet politike, të cilat nuk ishin në favor të të drejtave të shqiptarëve.
Raufi ishte një njeri i dashur dhe fisnik, i respektuar nga të gjithë ata që patën fatin ta njohin. Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen, miqtë, shokët dhe mbarë tetovarët.
Ngushëllime familjes, kolegëve të punës ku punoi, futbollistëve të gjeneratës së tij, “Shkëndija 79” dhe gjithë atyre që e kanë njohur.
Lavdi jetës dhe veprës së tij!
I qoftë i lehtë dheu i kësaj toke!