Kumanovarët të rrezikuar nga qentë endacak, komuna nuk ka mjete për ndërtimin e strehimores

Kohëve të fundit në rajonin e Kumanovës, e sidomos në qytet, është vërejtur rritje e madhe e numrit të qenve endacak të cilët lëvizin në grupe e që shpesh herë bëhen agresiv ndaj qytetarëve. Të njëjtit vazhdimisht mund ti hasësh edhe në pjesën qendrore gjë që shqetëson qytetarët kurse tek fëmijët shkaktojnë frikë. Me qëllim të grumbullimit dhe strehimit të qenve endacak komuna e Kumanovës planifikon të ngrenë iniciativën për ndërtimin e një qendre rajonale për strehimin e qenve endacak.

“Nuk e di nëse keni qenë në një qendër si kjo. Nevojiten ajër të kondicionuar, ngrohje, sipërfaqe të posaçme, të gjitha këto në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare. Nuk është e thjeshtë, do të ndërtohet një kafaz dhe qentë do të lirohen, sepse atëherë të gjitha shoqatat e mbrojtjes së kafshëve do të reagojnë dhe do të thonë se nuk po i mbani qentë siç duhet. Për momentin nuk ka zgjidhje të përhershme për qentë, përveç ndërgjegjësimit të pronarëve.”, u shpreh kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Kreu i Kumanovës Maksim Dimitrievski ka njoftuar se ekziston një iniciativë në nivel të rajonit verilindor për hapjen e strehimores së përbashkët e cila do të financohej nga të gjitha 6 komunat e rajonit. Mirëpo parakusht për këtë është sigurimi i mjeteve financiare.

“Nëse marrim fondet e nevojshme, planifikojmë të krijojmë një qendër rajonale, por jo sipas parimit të Qytetit të Shkupit, por me partneritet publik-privat. Atëherë kjo nuk do të jetë barrë vetëm e komunës sonë, por e të gjithë rajonit dhe partnerit. Kapacitetet e Qendrës Veterinare dhe Blegtorale “Todor Velkov”, të cilat ndodhen në fshatin Çetircë, në vendndodhjen e ish-depove ushtarake, mund të përdoren edhe për partneritet publik-privat.”, tha Dimitrievski.

Supozohet se qenët endacak në rajonin e Kumanovës në mënyrë të organizuar po sillen nga komunat fqinje. Ndryshe ditëve të fundit në këtë rajon opinioni u shqetësua tej mase sepse janë regjistruar sulme dhe kafshime të qenve ndaj disa fëmijëve. Ndërkaq mediat lokale në Kumanovë njoftojnë se vitin e kaluar komuna e Kumanovës në emër të dëmshpërblimit u ka paguar 65 mijë euro 43 qytetarëve të kafshuar nga qenët. Sidoqoftë nisma për ngritjen e një qendre rajonale për strehimin e qenve endacak është mëse e mirëpritur sepse në të ardhmen qytetarët nuk do të jenë të rrezikuar nga qenët endacak.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo