​Kina rreshtohet krah Iranit: Pekini dënon sulmet dhe bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Kina mbështet Iranin në mbrojtjen nga ato që ai i cilësoi si sulme amerikano-izraelite, në kushtet e thellimit të krizës në Lindjen e Mesme.

Gjatë një serie bisedimesh diplomatike me ministrat e jashtëm të Iranit, Omanit dhe Francës, Wang shpjegoi qëndrimin zyrtar të Pekinit për eskalimin e konfliktit, duke vënë në dukje se Kina vlerëson miqësinë tradicionale me Iranin. Sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV, ai theksoi se Pekini mbështet Iranin në mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë, integritetit territorial dhe dinjitetit kombëtar, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tij legjitime.

​Në deklaratat e tij, Wang Yi u drejtua me një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit për të ndërprerë menjëherë operacionet ushtarake dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve që mund të çojnë në përhapjen e konfliktit në të gjithë rajonin. Në një bisedë tjetër me ministrin e jashtëm të Omanit, Badr Albusaidi, kryediplomati kinez akuzoi SHBA-në dhe Izraelin për nxitje të qëllimshme të luftës kundër Iranit, duke vlerësuar se veprime të tilla shkelin parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Ai shtoi se Kina është e gatshme të marrë një “rol konstruktiv” në zgjidhjen e krizës përmes platformës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
​Gjatë bisedës me ministrin e jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, Wang paralajmëroi se bota po përballet me një “kthim te ligji i xhunglës”, duke shtuar se fuqitë e mëdha nuk mund të sulmojnë arbitrarisht vendet e tjera bazuar në superioritetin e tyre ushtarak.

Ai përfundoi se çështja bërthamore iraniane duhet të kthehet në rrugën e zgjidhjes politike dhe diplomatike, duke kërkuar përgjegjshmëri nga aktorët globalë për të ruajtur stabilitetin ndërkombëtar.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo