Khamenei edhe nga varri i rrezikshëm!

Mersel Bilalli
Gjat kohë jetuam në njëmendësi, pastaj kaluam në pak-mendësi dhe përfunduam në çmenduri…
“Khamenei, një nga njerëzit më të këqij në histori, ka vdekur”, tha Presidenti i SHBA-së Trump në
platformën e tij “Truth Social”. Rreth 30 zyrtarë të lartë iranianë u vranë në sulme, përfshirë edhe kreun
e Gardës Revolucionare, Mohammad Pakpour. Imazhet satelitore nga Airbus treguan tym të zi që ngrihej
nga kompleksi i udhëheqësit në Teheran pas sulmit. Garda Republikane tha se do të luftonte deri në
“pikën e fundit të gjakut”. Shpëtoje, Zot, nëse ka mbetur diçka për të shpëtuar në këta mendje. Madje
edhe djalli është larguar nga ai rajon, sepse nafta atje ka krijuar një ferr të madh.
Garda Revolucionare (IRGC) ka kërcënuar Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara me “operacionin më të egër
ofensiv” në historinë e Republikës Islamike, pas vrasjes së Ajatollah Ali Khamenei. “Më mirë të mos e
bëjnë, sepse nëse e bëjnë, ne do të përgjigjemi me forcë si kurrë më parë”, shkroi Presidenti Trump.
Duket se në këtë rajon, historia është një listë fatkeqësish dhe mundimesh, madje mu këtu Sizifi e ka
shtyrë shkëmbin e tij.
Aleatët e Iranit, Kina dhe Rusia, me një reagim të butë. Presidenti kinez shprehu “keqardhje” kurse
“aleati i madh” Moska shprehu “simpati”! Ndërsa raketat po godisnin Teheranin të shtunën në mëngjes,
ministri i jashtëm iranian telefonoi Moskën. Në anën tjetër të linjës, ministri i jashtëm rus Lavrov
shprehu simpati dhe premtoi mbështetje “verbale”! Për Iranin, ky është një mësim i mirë se çfarë do të
thotë partneriteti i rremë me Rusinë i nënshkruar vitin e kaluar. Një “partneritet” i tillë është sprovuar
edhe nga ish-presidenti sirian Bashar al-Assad dhe nga Maduro disa muaj më parë. Një shembull i blerjes
dhe shitjes së një ndërgjegjeje që s’kafshon.
Khamenei më i rrezikshëm nga varri!
Një nga njerëzit më të fuqishëm në Lindjen e Mesme, Khamenei i vrarë dominoi Iranin për një kohë të
gjatë. Nën udhëheqjen e tij, Irani e zgjeroi ndikimin e tij shumë përtej kufijve, duke fituar një reputacion
të një fuqie rajonale imponuese dhe të rrezikshme, në të cilën duhej llogaritur. Për vite me radhë, Irani
ka treguar një arrogancë të paparë ndaj Perëndimit, i cili arsyeshëm ka kërkuar kontroll efektiv mbi
energjinë bërthamore të Iranit. Tani, pas vrasjes së Khameneit, situata në Iran është kaotike dhe pa një
vizion të qartë për pasardhësin e tij. Vdekja e tij ngre shqetësime serioze për stabilitetin, jo vetëm në
Iran, por edhe në rajonin më të gjerë, me rreziqe të mundshme për ekonominë globale.
Problemi më i madh është se nuk dihet se kush mund ta pasojë Khamenein e fuqishëm, kështu që është
e lehtë të besosh në kaos. Nuk është aspak e qartë nëse Shtetet e Bashkuara, të cilat organizuan
ngjarjet, kanë një plan për të nesërmen. Pa këtë, i gjithë regjimi mund të shembet në mënyrë kaotike,
dhe kjo mund të çojë në luftë civile në Iranin multietnik. Atje jetojnë shumë kombe – persianë, khazarë,
kurdë, lurë, baluçë etj. Sipas kushtetutës iraniane, Asambleja e Ekspertëve ngarkohet me emërimin e një
udhëheqësi të ri suprem. Por deri në atë emërim, parashikohet një këshill i përkohshëm prej tre

anëtarësh i përbërë nga presidenti, kreu i gjyqësorit dhe një përfaqësues nga Këshilli i Rojës. Ata janë të
ngarkuar me kryerjen e detyrave të udhëheqësit të vrarë Khamenei. Por në kushtet e rrymave të
shumëfishta, ku dominon atmosfera për përmbysjen e të gjithë regjimit, kjo mund të jetë një problem i
madh, por edhe një rrezik.
Andaj, kush do ta udhëheqë Iranin në të ardhmen mbetet një mister i madh, madje edhe për ata që
pretendojnë ta zëvendësojnë atë – thotë CNN. Në janar, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha
se “askush nuk e di se kush do të marrë përsipër nëse Khamenei hiqet. Nuk mendoj se dikush mund t’ju
japë një përgjigje të thjeshtë se çfarë do të ndodhë më pas në Iran nëse Udhëheqësi Suprem dhe regjimi
bien”, tha ai. Kjo do të ishte hera e dytë në më pak se një shekull që SHBA-të kanë vepruar për të larguar
udhëheqësit iranianë nga pushteti. Dihet mirë se Mohammad Mossadegh, një kryeministër laik i
zgjedhur në mënyrë demokratike, u rrëzua nga një grusht shteti ushtarak në vitin 1953, i mbështetur
drejtpërdrejt nga CIA dhe inteligjenca britanike, pasi shtetëzoi industrinë e naftës në vend. Pas tij,
Uashingtoni solli në pushtet mbretin pro-perëndimor Shah Reza Pahlavi, i cili mbeti në pushtet deri në
Revolucionin Islamik në vitin 1979, kur revolucioni solli në pushtet regjimin fetar të Ruhollah Khomeini.
Pas vdekjes së tij në vitin 1989, ai u pasua nga Khamenei, tani i vrarë (anti-perëndimor deri në palcë), i
cili sundoi Iranin për 37 vjet.
Disa vende perëndimore do të donin ta shihnin të riun Reza Pahlavi, djalin e Shahut të fundit të Iranit,
Mohammad Reza Pahlavi (tani i ndjerë), si udhëheqësin e ardhshëm të Iranit. Në vitet e fundit, ai e ka
pozicionuar veten si një avokat i tranzicionit laik dhe demokratik, dhe jo domosdoshmërisht si një
monark absolut i ardhshëm. Ai ka deklaruar vazhdimisht se forma e rendit të ardhshëm – një republikë
apo një monarki kushtetuese – duhet të vendoset nga qytetarët në një referendum. Megjithatë, në Iran
nuk ka asnjë kuadër institucional ose ligjor që do të lejonte rikthimin e tij në pushtet, pasi Republika
Islamike tashmë ka një rend kushtetues të bazuar në një sistem të një udhëheqësi suprem dhe organeve
të zgjedhura, pa monarki. Çdo ndryshim në strukturën shtetërore do të kërkonte një tranzicion themelor
politik dhe ndryshime kushtetuese.
Situata do të përshkallëzohet!
Pasi Garda Revolucionare Iraniane kërcënoi të niste “operacionin më të egër ofensiv” në histori kundër
Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, Presidenti i SHBA-së Donald Trump bëri një deklaratë – “Më mirë të
mos e bëni këtë”. Por Irani ngriti një flamur të kuq dhe kërcënoi: “Sot do të godasim Izraelin dhe Shtetet
e Bashkuara me një forcë që nuk e kanë përjetuar kurrë.”
Gjatë protestave në janar, Khamenei ishte në qendër të zemërimit të shumë demonstruesve. Disa
brohoritën “Vdekje Khameneit”, të tjerë kërkuan largimin e tij, dhe regjimi përdori dhunë të madhe,
duke vrarë dhjetëra mijëra protestues dhe duke akuzuar shumë protestues se ishin një zgjatim i
komplotit izraelito-amerikan kundër Republikës Islamike.
Është interesante se deri dy ditë më parë, zyrtarët iranianë dhe ndërmjetësi omanian në negociata
dukeshin optimistë për marrëveshjen pas raundit të fundit të bisedimeve të enjten, mmadje Ministri i
Jashtëm i Omanit Badr Albusaidi tha se një marrëveshje ishte “kah fundi”. Por të shtunën në mëngjes,
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një sulm të papritur ndaj Iranit, ndoshta qëllimi ka qenë befasia.

Për kritikët e Khameneit (iranianë dhe të huaj), udhëheqësi iranian Khamenei ishte një tiran i tmerrshëm
i vendosur për të shkatërruar këdo që e kundërshtonte. Ai e sundoi Iranin me grusht të hekurt për gati
katër dekada dhe tani e ka zhytur Iranin dhe të gjithë rajonin, në një pasiguri të madhe. Vdekja e tij vjen
në një kohë kur Irani është ndoshta në gjendjen e tij më të dobët që kur ai mori pushtetin në vitin 1989.
Sanksionet perëndimore e kanë çuar vendin në një kolaps ekonomik, me inflacion në rritje. Sulmet e
SHBA-së dhe Izraelit në qershor 2025 i dhanë një goditje të rëndë sundimit të tij. Ai ushqente armiqësi të
thellë ndaj Arabisë Saudite dhe një numri shtetesh fqinje sunite, dhe gjithashtu ka ndikuar shumë në
zhvillimet në Liban (me ndihmën e Hezbollahut), Jemen me ndihmën e Huthëve dhe Gaza me ndihmën e
Hamasit. Tani ferri është një vend i bukur për ata që miqësohen me djallin.
Megjithatë, tani çmimi i naftës do të ngrihet në qiell, sidomos për shkak të mbylljes së Ngushticës së
Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 përqind e naftës botërore, gjë që do të ndikojë në mënyrë të
pashmangshme në ekonominë botërore. Për momentin, qindra mijëra pasagjerë janë bllokuar ose
devijuar në aeroporte të tjera pasi Izraeli, Katari, Siria, Irani, Iraku, Kuvajti dhe Bahreini mbyllën
hapësirën e tyre ajrore, raportoi Guardian. Në këto rajone, duket se edhe paqja është bërë më e
rrezikshme se lufta. Disa udhëheqës atje kanë thënë se janë pjesërisht përgjegjës, sikur të ishin
udhëheqës të pjesshëm. Edhe ne gjithnjë më afët Lindjes së Afërme.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo