Këshilli i Prokurorëve refuzon iniciativën e Lençe Ristoskës: Sulmet e Mickoskit nuk e cenojnë pavarësinë e saj
As VMRO-DPMNE-ja dhe as kryeministri Hristijan Mickoski nuk e kanë rrezikuar pavarësinë e prokurores Lence Ristoska me sulmet e vazhdueshme në konferenca për media apo duke e quajtur atë “mediokre”.
Këshilli i Prokurorëve Publikë hodhi poshtë sot unanimisht iniciativën e prokurores Ristoska, në të cilën ajo pretendonte se ishte e ekspozuar ndaj presioneve politike dhe ndikimeve të jashtme lidhur me punën e saj në lëndë gjyqësore.
Në iniciativën e dorëzuar në Këshill, Ristoska theksoi se sulmet ndaj saj vijnë nga strukturat politike të VMRO-DPMNE-së, duke marrë si shembull deklaratat e kryeministrit dhe postimet në faqen zyrtare të partisë.
Në arsyetimin e vendimit, u theksua se pretendimet e paraqitura nuk janë mjaftueshëm të konkretizuara për të vërtetuar një ndikim real mbi pavarësinë e saj. Sipas anëtares Marijana Ilievska, deklaratat dhe sulmet publike, edhe pse të papërshtatshme, nuk ishin të lidhura drejtpërdrejt me vendimmarrjen e saj si prokurore.
Këshilli konkludoi se nuk ka prova për rrezikim të integritetit profesional apo për ndikim të jashtëm mbi punën e Ristoskës.
Lence Ristoska reagoi pasi kryeministri Hristijan Mickoski, në një intervistë për “Vecer.mk” në fillim të këtij viti, e quajti atë “mediokre” dhe u pajtua me konstatimin e gazetares se bëhet fjalë për një “matricë klienteliste-politike”. Ai i bëri këto komente duke folur për ligjet e drejtësisë dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal. Mickoski nuk e përmendi prokuroren me emër, por nga përmbajtja e deklaratës është e qartë se bëhej fjalë për të.
Ristoska është pjesë e Prokurorisë Themelore Publike Shkup, prokurore publike për lidhje me Eurojust dhe ishte pjesë e ekipit të Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Ajo ende përfaqëson para gjykatës dy aktakuzat – “Talir 1” dhe “Talir 2” kundër ish-zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së dhe kundër partisë si person juridik për financim të paligjshëm, raste ku kërkohet edhe konfiskimi i selisë së partisë.
Ajo theksoi se deklaratat e kryeministrit i përjeton si një presion të papërshtatshëm mbi punën e saj profesionale.