Italia blen një pikturë të periudhës së Rilindjes për 12.6 milionë euro





Italia ka ndërmarrë sërish hapa për të mbrojtur dhe ruajtur pronësinë e një vepre të konsideruar thesar kombëtar, duke blerë një vepër arti të periudhës së Rilindjes për 12.6 milionë euro.

Qeveria ka blerë pikturën fetare nga Antonello da Messina që ishte vendosur në ankand në Nju Jork.

“Ecce Uomo” e përshkruan Jezusin me një kurorë me gjemba në kokë dhe një litar rreth qafës në momentin kur Ponc Pilati ia dorëzon turmës së zemëruar që ta çojnë për ta kryqëzuar.

Piktura është e veçantë jo vetëm për vlerën artistike, por edhe për historinë e saj: është përdorur për lutje private për vite me radhë dhe është mbajtur në një çantë lëkure. Si pasojë, figura e Shën Jeronimit në anën tjetër të panelit është dëmtuar ndjeshëm nga prekjet dhe puthjet e vazhdueshme.

Blerja vjen pak më shumë se dy javë pasi Italia bleu një portret të rrallë nga piktori barok Caravaggio për 30 milionë euro , një nga investimet më të mëdha shtetërore ndonjëherë për një vepër të vetme arti.

Sipas ministrit të kulturës Alessandro Giuli, ky është vetëm fillimi i një serie blerjesh të rëndësishme. Qëllimi është që këto vepra të rikthehen në Itali dhe të bëhen të aksesueshme për publikun.

Vepra e artit fillimisht do të shfaqet në Muzeun Kombëtar të Abruzzos përpara se të zhvendoset në vende të tjera në të gjithë vendin për t’u dhënë sa më shumë njerëzve mundësinë ta shohin atë personalisht.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo