Irani: Çdo shtet që dëbon ambasadorët e SHBA-së dhe Izraelit do të ketë kalim të lirë në Ngushticën e Hormuzit
Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se çdo vend arab ose evropian që dëbon ambasadorët e SHBA-së dhe Izraelit nga territori i tij, do të jetë i lirë të kalojë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Kriza në Lindjen e Mesme ka ndërprerë trafikun detar dhe eksportet e energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit – një rrugë kyçe detare përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale të naftës dhe gazit natyror.
Qindra anije mbeten të ankoruara në të dyja anët e rrugës strategjike ujore, ndërsa tregjet e naftës dhe të transportit po monitorojnë me kujdes për çdo shenjë të rinisjes së lundrimit përmes korridorit të ngushtë.
Garda Revolucionare bëri me dije gjithashtu se nuk do të lejojë eksportin e naftës nga rajoni drejt SHBA-së dhe vendeve që bashkëpunojnë me Uashingtonin.
”Në kushtet e agresionit të vazhdueshëm nga ana e SHBA-së kundër Iranit, forcat e armatosura të Republikës Islamike nuk do të lejojnë që asnjë litër naftë nga rajoni të arrijë në një shtet armik dhe te partnerët e tij deri në një urdhër të dytë,” deklaroi gjenerali Ali Mohammad Naini.
Ai shtoi se ushtria iraniane është “e gatshme ta zgjerojë luftën”, duke theksuar se Teherani do të vendosë se kur do të përfundojë konflikti.