Gjuha përjashtuese e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski nuk është thjesht një gabim, por një sulm i drejtpërdrejtë mbi rendin multietnik të vendit. Kur mbrojtësi i Kushtetutës shndërrohet në zëdhënës të nacionalizmit, largimi i tij mbetet rruga e vetme për të shpëtuar reformën në drejtësi.
Postimi i plotë i deputetit Ilir Hasani:
Qëndrimet antishqiptare të shprehura sot në seancë nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut – z. Kostadinovski, janë për t’u dënuar, jo vetëm për t’u kritikuar.
Deklarimet dhe qasja e tij treguan qartë një frymë përjashtuese dhe nacionaliste që bie ndesh drejtpërdrejt me rolin që duhet të ketë një kryetar i Gjykatës Kushtetuese – mbrojtjen e kushtetutshmërisë, barazisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve. Vetë emri i këtij institucioni – Gjykatë Kushtetuese – nënkupton mbrojtjen e rendit kushtetues për të gjithë qytetarët dhe për të gjithë popujt që përbëjnë këtë shtet, jo vetëm për një popull apo një gjuhë.
Gjykatësit shqiptarë në këtë institucion duhet të ngrisin zërin dhe, nëse është e nevojshme, të ngrenë edhe procedura për diskriminim institucional. Heshtja përballë një gjuhe të tillë vetëm e normalizon atë.
Sot duhet të flasim të gjithë, pa dallim partie. Një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe multietnik nuk mund të tolerojë qasje që e reduktojnë rendin kushtetues në një perspektivë monoetnike.
Me qëndrimet e sotme ai dëshmoi se nuk po vepron si mbrojtës i kushtetutshmërisë dhe i rendit juridik të vendit, por si një figurë që me retorikë nacionaliste minon vetë themelet e shtetit dhe të bashkëjetesës.
Nëse sot flasim për reforma serioze në gjyqësor, atëherë këto reforma duhet të fillojnë pikërisht nga maja e institucioneve. Një kryetar i Gjykatës Kushtetuese që shfaq qasje të tilla nuk mund të jetë garant i rendit kushtetues dhe i barazisë. Nëse ka vullnet për reformë të vërtetë në drejtësi, atëherë ai duhet të jetë i pari që duhet të largohet nga kjo detyrë.
Nëse të VLEN-it zgjedhin të heshtin – le të vazhdojnë të heshtin.
Ne kemi detyrim të ngrejmë zërin, sepse heshtja përballë padrejtësisë është bashkëfajësi.