“Ia dhashë 28 dhjetorin për zgjedhje”, Kurti i kundërpërgjigjet Osmanit: Nuk kanë mundur të mbahen në datë tjetër
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur për deklaratën e presidentes Vjosa Osmani, rreth 28 dhjetorit, datës në të cilën u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“A ia paskam organizuar unë pas shtatorit puçin zotrit Kurtit duke ja dhënë datën 28 dhjetor…”, tha Osmani në një intervistë gjatë kësaj jave duke folur për acarimin e marrëdhënieve me Kurtin, i cili nuk e kandidati për një mandat të dytë në postin e së parës së shtetit.
Kurti tha se 28 dhjetori ka qenë alternativa e vetme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, për shkak se ato ka qenë e pamundur të mbahen më 21 dhjetor, edhe për shkak të sfidave teknike e logjistike për organizimin e tyre, të cilat i ka përmendur edhe KQZ, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Zgjedhjet janë mbajtur më 28 dhjetor, për bindjen time të fuqishme, nuk ka qenë e mundur që të mbahen më 21 dhjetor për shkak se ekziston edhe shkresa nga Sekretariati i KQZ-së që thotë se e kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për përmbushur afatet kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike. Prandaj nuk ka pasur mundësi tjetër për datë, përveçse 28 dhjetor. Nëse dikush do të mendonte se ka qenë e mundur të organizohen zgjedhjet më 4 janar, as kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor”, tha Kurti para gazetarëve.
Ai po ashtu ta se, Kosovës tani më së paku i duhen zgjedhjet. Kurti theksoi se është e domosdoshme një marrëveshje me partitë opozitare për çështjen e presidentit.
“Unë nuk kam se çfarë të shtoj prej konferencës për media që kam pasur para një jave dhe nuk besoj që është e nevojshme ta përsëris veten. Presidentja e Republikës është kreu i shtetit ku unë jam kryeministër i vendit dhe unë besoj që kemi një çështje që tash ndodhet në Kushtetuese dhe theksi duhet të vihet tek fakti që vitin e kaluar kemi pasur katër palë zgjedhje dhe jam i bindur që nuk duhet ta përsërisim vitin 2025. Viti 2026 është vit i ri. Nuk është as e drejtë dhe as e dobishme që të kemi zgjedhje të përsëritura. Prandaj është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit dhe qytetarët presin prej nesh, stabilitet institucional e jo zgjedhje të përsëritura. Nuk ka nevojë për zgjedhje të përsëritura, ka nevojë që sa më parë ta kemi aktgjykimin e Kushtetueses dhe të fillojë Kuvendi të punojë. Zgjedhjet e reja do të kushtonin së paku 10 milionë euro. Nuk bëhet fjalë tani se kush e ka shumicën dërmuese, Vetëvendosje ka fituar me 51 përqind dhe çështja është te kuorumi prej 80 deputetëve dhe nuk besoj se na duhen zgjedhjet e reja për të pasur garë se a do ti kemi 80 deputetë”, tha Kurti./Reporteri.net/