Hoxha–Rokas: Thellim i partneritetit me BE-në për ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të Prespës
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, zhvilloi takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, ku u konfirmua angazhimi i përbashkët për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të Prespës.
Në takim u theksua se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes së Parkut të Prespës, përmes aktiviteteve të reja dhe të intensifikuara për mbrojtjen e ekosistemit të tij unik. Prespa u vlerësua si një pasuri natyrore me rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë rajonin.
Ministri Hoxha shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe theksoi rëndësinë e avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit për të siguruar mbrojtje afatgjatë dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Nga ana e tij, ambasadori Rokas theksoi se mbrojtja e mjedisit është një prioritet kyç në agjendën evropiane dhe e vlerësoi Prespën si një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm ndërkufitar.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se përmes përpjekjeve të përbashkëta mund të kontribuohet në ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, si dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të këtij rajoni.
Bashkimi Evropian do të vazhdojë të investojë në iniciativa për mbrojtje afatgjatë, ndërsa në kuadër të programeve si “BE për Prespën” po realizohen projekte për mbrojtjen e biodiversitetit, menaxhim të qëndrueshëm të burimeve natyrore, ujërave dhe mbeturinave, si dhe për nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal.