Hoxha në inspektim në Strugë: rrjet ujësjellës modern, rrugë me shteg për këmbësorë dhe ndërtimi i sistemit kolektor Radozhdë – Kalishtë për struganët
Strugë, 05.03.2026 – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot realizoi një inspektim në disa projekte në Strugë, së bashku me kryetarin e komunës së Strugës, Mendi Qyra, drejtorët e ndërmarrjeve publike, si dhe zëvendësministren e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri.
“Sot në Strugë po e tregojmë në praktikë ‘Kthesën tonë të Gjelbër’, duke krijuar sisteme të qëndrueshme dhe jo zgjidhje të përkohshme. Investojmë në tre projekte kyçe që nënkuptojnë jetë më cilësore për struganët dhe mbrojtje afatgjate të Liqenit të Ohrit: një sistem më të qëndrueshëm dhe më të sigurt të ujësjellësit, rrugë me shteg për këmbësorë dhe vazhdimin e ndërtimit të sistemit kolektor Radozhdë–Kalishtë. Shëndeti i struganëve dhe mbrojtja e mjedisit duhet të ecin bashkë”, deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor, Muamet Hoxha, pas inspektimit në rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit në qytet.
Me këtë projekt kapital, i cili filloi verën e kaluar, po zëvendësohen gypat e amortizuar prej azbest-çimentoje me materiale moderne dhe të sigurta, gjë që do të ulë humbjet teknike dhe do të forcojë stabilitetin e sistemit.
Sa i përket turbullimit të ujit për shkak të aktiviteteve të paligjshme pranë burimeve, ministri theksoi se institucionet tashmë po veprojnë dhe se përgjegjësia duhet të ekzistojë. Ai nënvizoi se burimet ujore janë pasuri strategjike dhe se rasti është sinjal i qartë për nevojën e forcimit të kontrollit dhe mbrojtjes së tyre.
Vizita vazhdoi me shënimin e fillimit të ndërtimit të një rruge me shteg për këmbësorë në qytet, një investim që kontribuon në rregullimin e hapësirës publike dhe përmirësimin e kushteve për rekreacion dhe lëvizje të sigurt të qytetarëve.
“Është e papranueshme që qytetarët të pinë ujë nga gypa të vjetër prej azbesti, prandaj me 90 milionë denarë po ndërtojmë një rrjet modern ujësjellësi. Njëkohësisht, vazhdojmë me ndërtimin e sistemit kolektor Radozhdë–Kalishtë; makineritë tashmë janë në terren dhe punimet ndërtimore po vazhdojnë në mënyrë aktive. Ky është thelbi i qasjes sonë në vend të arsyetimeve për projekte të bllokuara, ofrojmë vepra konkrete, ujë të pastër dhe liqen të mbrojtur për gjeneratat e ardhshme”, theksoi ministri Hoxha.
Në fund të vizitës së tij në Strugë, Hoxha realizoi edhe një inspektim në ndërtimin e sistemit kolektor Radozhdë–Kalishtë. Pas ndërprerjes për shkak të sigurimit të lejeve të nevojshme, aktivitetet ndërtimore po vazhdojnë sipas dinamikës së përcaktuar. Projekti përfaqëson një investim të rëndësishëm në mbrojtjen e Liqenit të Ohrit dhe është pjesë e një ndryshimi më të gjerë sistemor drejt ruajtjes afatgjate të mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit.



