Pas një periudhe 18-mujore relativisht të qetë sipas standardeve të tij, Vinicius Junior është rikthyer në formën e tij më të mirë javët e fundit.
Ai ka shënuar gjashtë gola në pesë ndeshjet e fundit për Real Madridin, ndërsa edhe niveli i përgjithshëm i paraqitjeve të tij ka shënuar rritje të dukshme.
Rikthimi në formë i Viniciusit vjen në një moment kyç, duke qenë se ai ka hyrë në 18 muajt e fundit të kontratës me Real Madridin.
Një marrëveshje nuk u arrit gjatë negociatave që u zhvilluan në vitin 2025, të cilat u shtynë për më vonë gjatë sezonit. Kjo ka krijuar hapësirë për klube të interesuara, mes tyre edhe Manchester City.
Megjithatë, prioriteti i Vinicius është të qëndrojë te Real Madridi, dhe kjo është gjithashtu dëshira e klubit.
Ka pasur disa dyshime brenda bordit drejtues nëse duhet bërë gjithçka e nevojshme për të siguruar rinovimin e 25-vjeçarit, por sipas “Diario AS”, tashmë është arritur një konsensus i përgjithshëm për këtë çështje.
Real Madridi është në dialog të rregullt me përfaqësuesit e Viniciusit dhe ekziston bindja se marrëveshja do të finalizohet në momentin e duhur.
Tani që të gjithë janë në një linjë, nuk pritet të ketë pengesa që lojtari i kombëtares braziliane të zgjasë qëndrimin në “Bernabeu” përtej vitit 2027.
Me shumë gjasë, diskutimet nuk do të rifillojnë deri më afër verës, pasi Viniciusi është plotësisht i përqendruar për të ndihmuar Real Madridin të arrijë sukses në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve.
Ai gjithashtu ka Kupën e Botës në qershor/korrik, çka mund të bëjë që bisedimet të shtyhen deri afër fillimit të sezonit të ardhshëm.
Megjithatë, ndjesia e përgjithshme është se ai në fund do të nënshkruajë një kontratë të re, edhe nëse kjo ndodh kur marrëveshjes aktuale t’i kenë mbetur më pak se 12 muaj.