Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se seanca për zgjedhjen e presidentit nuk është përmbyllur, por vetëm është ndërprerë dhe do të vazhdojë sapo të plotësohen kushtet.
Ajo tha se pret që të ketë takime dhe përpjekje nga subjektet politike për të arritur një zgjidhje dhe për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Në seancën e 25 marsit unë kam thënë që seanca ndërpritet por jo përmbyllet, dhe kam thënë që ajo do të hapet dhe do të thirret prapë kur të plotësohen kushtet. Unë pres që të ketë kërkesa, ftesa për takime nga kryetari i Vetëvendosjes, kryeministri Albin Kurti për subjektet politike. Siç u njoftua, kryeministri Kurti sot ka bërë të qartë që do të vazhdojë me ftesat për subjektet, grupet parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Prandaj uroj që këto debate, këto diskutime, këto takime të çojnë deri te një zgjidhje për çështjen e presidentit. Është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme sepse kemi humbur shumë dhe kemi shumë punë për të bërë. Prandaj uroj që këto diskutime, këto takime të sjellin rezultate konkrete, po ftoj të gjitha palët që të jenë serioz”, u shpreh Haxhiu, raporton EO.