Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar të gjitha kërkesat e të pandehurve për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave në dosjen “Meta”.
Gjyqtarja Irena Gjoka bëri të ditur se tani mbetet të vendoset nëse dosja, në të cilën përfshihen 5 të pandehur, përfshirë Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, do të kalojë për gjykim.
Ndërkohë pas seancës avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani tha se procesi ligjor për Metën është kthyer në politik.
“Gjykata pasi relatoi kërkesat tona kur ne i kishim të bazuara për plotësim hetimet, gjykata i konstatoi se hetimet janë të paplota. Gjykata përsëri nuk u ngrit dot në lartësinë që kërkon detyra, nuk pranoi kërkesat dhe e kali çështjen për gjykim duke thënë që këto çështje zgjidhen vetëm në themel. Gjykata e themelit do të bëjë dhe prokurorin dhe gjykatësin. Nuk ka asnjë të re, sot ka përfunduar çështja ligjore në themel fillon çështja politike. Kjo është një procedurë koti. Kemi 7 muaj që merremi me gjykatën dhe janë tallur me avokatët.”-tha Cakrani.