Gashi – Montella: AP-ja e OSBE-së – një nga shtyllat kryesore për forcimin e demokracisë parlamentare, dialogut dhe bashkëpunimit
Në kuadër të Forumit të Pestë Ndërparlamentar të Delegacioneve nga Evropa Juglindore në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella.
Në takim, Kryetari Gashi nënvizoi se Kuvendi është i nderuar që gëzon besimin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të konfirmuar përmes organizimit të këtij forumi parlamentar, i cili është mundësi e jashtëzakonshme për të thelluar dialogun rajonal, si dhe për të kuptuar më mirë sfidat e përbashkëta. Si vend pritës i misionit të parë në terren të OSBE-së, i cili është ende aktiv, ne mund të dëshmojmë nga afër përvojën pozitive dhe përfitimet e pranisë në terren të OSBE-së. Misioni i OSBE-së në Shkup ka luajtur rol të rëndësishëm në zbatimin e proceseve të reformave në vend në fusha të shumta. Përveç pjesëmarrjes në sesionet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Delegacioni ynë merr pjesë rregullisht edhe në misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve. Në vitin 2016, ne pritëm Sesionin e Vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, dhe në vitin 2023, organizuam sesionin e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, në kuadër të Këshillit Ministror të OSBE-së, i cili u mbajt në Shkup.
Sekretari i Përgjithshëm, Montella falënderoi për organizimin dhe mikpritjen dhe theksoi se forumet e dialogut shumëpalësh janë një nga mënyrat për t’u lidhur, dialogu është një nxitje për avancimin e lidhjeve infrastrukturore, rajonale dhe të sigurisë. Ai theksoi se vendet në Evropë kanë nevojë për njëra-tjetrën, pavarësisht nëse bëhet fjalë për përparim në rrugën drejt BE-së apo për miratimin e zgjidhjeve për përparimin e studentëve, kulturës, ekonomisë. Ai shprehu kënaqësinë që Maqedonia e Veriut në të kaluarën kërkoi mbështetje në fushën e sigurisë, dhe sot po kontribuon në mënyrë aktive në fushën e sigurisë, jo vetëm rajonale, por edhe më gjerë.
Bashkëbiseduesit shpresojnë se dialogu i hapur dhe bashkëpunimi i frytshëm me OSBE-në dhe të gjitha institucionet dhe strukturat e saj do të vazhdojë, dhe mbi të gjitha me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, si një nga shtyllat kryesore për forcimin e demokracisë parlamentare, dialogut dhe bashkëpunimit midis shteteve.