Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), dr. Venko Filipçe, gjatë paraqitjes në emisionin “Click Plus” në TV21, deklaroi se ekzistojnë dyshime se sistemi “Safe City” po mbron persona të afërt me VMRO-DPMNE, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Filipçe tha se LSDM e mbështet përmirësimin e sigurisë në komunikacion, por se mbeten të hapura pyetje serioze lidhur me kontrollin dhe menaxhimin e të dhënave që mbledh ky sistem.
“Çfarë ndodh me të dhënat? Si mund të mbështesim një ligj në të cilin nuk është e rregulluar aspak se çfarë ndodh me të dhënat që sistemi ‘Safe City’ i mbledh. Ju incizojnë kudo nëpër qytet, askush nuk e di ku ruhen këto të dhëna dhe kush i kontrollon.
Kemi informacione se disa targa të automjeteve të anëtarëve të VMRO-DPMNE-së janë hequr nga sistemi ‘Safe City’, në mënyrë që të mos regjistrohen dhe të mos ndëshkohen njerëzit e tyre”, tha Filipçe.
Ai shtoi se këto informacione janë serioze dhe se në periudhën e ardhshme pret të dalin edhe detaje shtesë.
“Këto janë informacionet që po arrijnë tek ne dhe do të shohim në periudhën e ardhshme se çfarë informacionesh të tjera do të dalin”, tha Filipçe.
Në intervistë, Filipçe theksoi gjithashtu se qeveria e VMRO-DPMNE-së nuk tregon vullnet për zgjidhje sistemore që janë në interes të qytetarëve.
“Nuk ka dëshirë nga kjo qeveri që të bëhet diçka thelbësore në interes të të gjithëve. Kjo është qeveria më e keqe në historinë e shtetit. Ata nuk kanë as dije, as kapacitet, as përvojë se si drejtohet një shtet, dhe nuk kanë as dëshirë të bëjnë diçka të mirë për qytetarët”, tha Filipçe.