Fëmijët nga Manastiri në Tiranë: Një mesazh i fortë për gjuhën shqipe dhe lidhjen kombëtare

Në një ditë simbolike për arsimin shqiptar, 7 Marsin, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, publikoi në facebook aktivitetin me një grup fëmijësh shqiptarë nga qyteti i Manastirit- Maqedoni e Veriut, të cilët mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare përmes Bibliotekës “Linkest”.

Takimi i veçantë u organizua me iniciativë të ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, dhe u shoqërua nga përfaqësues të institucioneve shqiptare.

Përmes postimit në rrjetet sociale, Rama ndau emocionet nga takimi me vogëlushët, duke theksuar se energjia dhe entuziazmi i tyre janë dëshmi e fuqisë së gjuhës shqipe për të bashkuar breza edhe përtej kufijve.

“Me energjinë e fëmijëve nga Manastiri, që na kujtojnë sa e fortë është lidhja përmes gjuhës, ju uroj Gëzuar 7 Marsin dhe fundjavë të mbarë”, shkroi ai, duke e shoqëruar mesazhin me pamje nga takimi.

Ambasadori Meidani theksoi se këta fëmijë përfaqësojnë një shembull të gjallë të përkushtimit ndaj gjuhës dhe identitetit kombëtar. “Fëmijë që mbajnë gjallë gjuhën shqipe, librin shqip dhe dashurinë për identitetin tonë, edhe përtej kufijve. Çdo fjalë e mësuar dhe çdo libër i lexuar në shqip është një urë që lidh brezat dhe një dëshmi se bijtë e shqipes, kudo që janë, e mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën e tyre”, theksoi ai, duke nënvizuar se aty ku ruhet gjuha shqipe, ruhet edhe shpirti i kombit.

Vizita e fëmijëve nga Manastiri në Tiranë u shoqërua me një sërë aktivitetesh kulturore dhe arsimore. Ata vizituan edhe Teatrin e Kukullave, ku përjetuan një pasdite plot kuriozitet dhe të qeshura mes personazheve të dashur të skenës, ndërsa një tjetër ndalesë ishte në shkollën 9-vjeçare “Dora D’Istria”, ku u pritën me këngë dhe valle shqiptare.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Vilma Premti, si dhe zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, Oriana Osmani.

Kjo vizitë u kthye në një simbol të rëndësishëm të lidhjeve kulturore dhe arsimore mes shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Përmes aktiviteteve të tilla, institucionet shqiptare synojnë të forcojnë lidhjen e brezave të rinj me gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar, duke dëshmuar se për shqiptarët, kudo që jetojnë, gjuha shqipe mbetet ura më e fortë që i bashkon.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo