Fati i Osmanit dhe Kurtit në duart e Kushtetueses

Ai që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 u prokalmua si “binom i shpresës”, duket se nuk ekziston më dhe në një ardhme të afërt dy akterët kryesor të këtij binomi, Vjosa Osmani e Albin Kurti, mund të kthehen në kundërshtarë politik, ndërsa vendi po përballet me zgjedhjet e treta parlamentare brenda një viti. Kosova nuk arriti ta zgjedhë më 5 mars pasuesin e presidentes Vjosa Osmani. Prej javësh u përfol fakti se Osmani nuk e gëzonte më mbështetjen e kryeministrit Albin Kurti për një mandat të dytë, dhe një gjë e tillë u vërtetua në ditën e fundit kur vendi do të duhej të kishte president.

LVV, prezantoi dy kandidatë të tjerë për president – Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhan – duke lënë Osmanin jashtë ekuacionit. Të nesërmen Osmani shpalli dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Presidenti i ri nuk u zgjodh për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa LVV-ja tha se dekreti i Osmanit është jokushtetues, dhe e çoi lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Në fillim të kësaj jave, Kushtetuesja e pezulloi deri më 31 mars dekretin e Osmanit. Vendimi i Kushtetueses nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë zgjedhje të reja dhe Kuvendi nuk mund ta vazhdojë me seancën për zgjedhjen e presidentit deri më 31 mars.

Fati politik i Osmanit, por po ashtu edhe të Kurtit, tani varet nga vendimi i organit më të lartë për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës. Verdikti i këtij organi pritet të përcaktojë drejtimin e jetës politike në vend – duke i mundësuar Osmanit të marrë një shtysë për sukses elektoral në zgjedhjet e ardhshme, ose duke forcuar edhe më tej pozicionin dhe fitoret bindëse të LVV-së.

Ndërsa Kosova është në pritje të një vendimi, Osmani e Kurti, nuk po qëndrojnë duarkryq. Të dy kanë nisur tashmë betejën politike, duke formësuar narrativin që mund të përcaktojë të ardhmen e tyre në skenën politike. Në njërën anë, LVV-ja po përpiqet të diskreditojë figurën e Osmanit, ndërsa Osmani nga ana e saj po nxjerr në pah gabimet dhe mangësitë e qeverisjes pesëvjeçare të Kurtit, duke u përpjekur të fitojë ndikim politik dhe mbështetje para zgjedhjeve të ardhshme.

Përveç kritikave ndaj figurës së Osmanit, LVV-ja në mënyrë indirekte po drejton akuza edhe ndaj ambasadorëve të akredituar në Kosovë. Përmes mesazheve publike, ata janë ftuar që “të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita e ndërhyrje”, duke lënë të kuptohet se diplomatë të huaj mund të përpiqen të ndikojnë në vendimin e saj lidhur me dekretin e Osmanit. Kjo retorikë po interpretohet si pjesë e betejës më të gjerë politike që po zhvillohet paralelisht me pritjen për vendimin e Kushtetueses, ku secila palë përpiqet të ndërtojë narrativin e vet politik dhe, në rast të një vendimi të pafavorshëm, LVV të paraqitet si viktimë e një presioni të jashtëm.

Ndërkaq një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të partisë Guxo gjatë kësaj jave dhanë dorëheqje, duke shprehur pakënaqësi ndaj kryesisë për qëndrimin e saj në raport me Osmanin, njërën nga themeluesit e kësaj partie politike. Krahas anëtarëve të dorëhequr të partisë Guxo, të cilët mund të rreshtohen në krah të Osmanit, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Osmanin, pas përfundimit të mandatit të saj si presidente. Sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkimi me Osmanin përreth një vizioni të përbashkët politik do të ishte në dobi të Kosovës.

Më 2021, Kurti dhe Osmani, duke garuar në një listë të përbashkët, fituan mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare dhe siguruan rezultatin më të mirë ndonjëherë për një subjekt politik prej pavarësisë së Kosovës. Më 28 dhjetor 2025, LVV-ja arriti rezultat edhe më të mirë, ndonëse Osmani nuk garoi, ajo pati sërish dorë në fitoren e tyre duke ia caktuar datën e zgjedhjeve ashtu siç i konvenonte LVV-së, gjë që të cilën e pranoi edhe vetë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo