Elite Sports sjell teknologjinë franceze Footbar te KF Vëllaznimi





KF Vëllaznimi pajiset me teknologjinë moderne Footbar për analizën e performancës

KF Vëllaznimi ka zyrtarizuar bashkëpunimin me kompaninë Elite Sports, në kuadër të të cilit klubi gjakovar është pajisur me teknologjinë moderne Footbar, një sistem inovativ që shërben për analizën dhe zhvillimin e performancës së futbollistëve informon Tetovasot.
Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, pajisjet janë siguruar si për ekipin e parë të Vëllaznimit ashtu edhe për akademinë e klubit, me synimin për të rritur nivelin e profesionalizmit dhe për të përdorur metoda moderne në procesin e stërvitjes dhe zhvillimit të lojtarëve të rinj.
Footbar është një teknologji e zhvilluar në Francë, e cila përdor sensorë inteligjentë për të analizuar elemente të ndryshme të lojës si numrin e pasimeve, goditjeve, prekjet e topit, shpejtësinë dhe intensitetin e lojës. Këto të dhëna u mundësojnë trajnerëve dhe futbollistëve të kuptojnë më mirë performancën individuale dhe të punojnë në përmirësimin e saj.
Gjatë prezantimit të teknologjisë në klub ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Footbar nga Franca, Antoine Perrot, i cili zhvilloi një trajnim për stafin e Vëllaznimit lidhur me përdorimin e pajisjeve dhe analizën e të dhënave që ofron sistemi.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë përfaqësuesi i Elite Sports, Burim Haxhiu, dhe drejtori i KF Vëllaznimit, Aulon Boshnjaku. Ata theksuan se përdorimi i teknologjisë moderne përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit dhe profesionalizimit të mëtejshëm të futbollit.
Elite Sports është distributor ekskluziv i teknologjisë Footbar për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, duke sjellë kështu në rajon një nga zgjidhjet më moderne për analizën e performancës në futboll.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo