Regjimi iranian ekzekutoi me varje publike 19-vjeçarin mundës Saleh Mohammadi, i cili ishte arrestuar gjatë protestave të janarit së bashku me dy persona të tjerë.
Saleh Mohammadi, së bashku me Mehdi Ghasemi dhe Saeid Davoudi u akuzuan, sipas mediave iraniane, për vrasjen e dy policëve “me thika dhe shpata” gjatë protestave.
Megjithatë, organizatat për të drejtat e njeriut denoncojnë se Mohammadi, i konsideruar si një talent në ngritje në sportin e mundjes, është torturuar për të pranuar akuzën e rëndë të “armiqësisë ndaj Zotit”.
“Ekzekutimi i tij ishte një vrasje e hapur politike, pjesë e modelit të Republikës Islamike për të vënë në shënjestër sportistët me qëllim shtypjen e kundërshtimit dhe frikësimin e shoqërisë”, deklaroi aktivisti dhe sportisti iranian i arteve marciale Nima Far për Fox News.
Amnesty International dënoi ekzekutimet, duke theksuar se të akuzuarve nuk iu garantua “mbrojtje e mjaftueshme ligjore dhe u detyruan të bëjnë ‘rrëfime’”.
Sipas të njëjtës deklaratë, tre të rinjtë iu nënshtruan “procedurave të përshpejtuara që nuk ngjanin aspak me një gjykim të drejtë”.
Nima Far kujtoi gjithashtu se ekzekutimi i fundit rikthen në vëmendje rastin e vitit 2020, kur u ekzekutua kampioni i mundjes Navid Afkari, i dënuar për vrasjen e një roje sigurie gjatë një proteste në vitin 2018.