Mersel Bilalli
Një sistem i keq çon në vuajtje kolektive. Vuajtje për një ushqim të pangrënë, për një ilaç të pablerë, për një banesë të pandërtuar, për një jetë të pashpëtuar, dhe për shumë tjera “për”!
Duke zbritur nga aeroplani, Trump tha: “Unë mbaj një dokument të nënshkruar nga Z. Putin – do të ketë paqe në kohën tonë.” Ngjashëm me 30 shtatorin 1938, kur kryeministri i atëhershëm britanik Chamberlain shpalli “paqe për kohën tonë” ndërsa mbante një dokumnet nga Marrëveshja e Mynihut, e cila miratoi aneksimin e Sudetit çekosllovak nga Gjermania. Më pak se një vit më vonë, filloi lufta më e përgjakshme në historinë e njerëzimit. Pikërisht 86 vjet më vonë, vetëm rreth një kilometër larg atij vendi, u mbajt Konferenca e Sigurisë së Mynihut (2025), ku zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance e bëri të qartë me një ton agresiv se SHBA-të tani prisnin që Evropa “vet të kujdesej për mbrojtjen e saj”. Dhe se “SHBA-të nuk do të rrezikonin luftë për një qytet si Narva”! “Ne nuk e dimë më se çfarë po mbrojmë në këtë botë. Dhe çfarë po mbroni ju?” pyeti ai, duke shijuar shikimet e hutuara të aleatëve të tij evropianë. Sipas tij, kërcënimi më i madh për Evropën nuk është Rusia, por vlerat themelore evropiane, duke hedhur baltë edhe ndaj NATO-s!
Vetëm pas një viti, Moska dhe Pekini po përgjigjen me ngurrim në telefon, ndërsa Trump kërkon ndihmë nga ta. Duket se nuk mund të zgjedhim kohën kur do të na vizitojë fatkeqësia. S’ka vetmi më të madhe se kur je midis partnerëve por askush s’të dëgjon. Bota tashmë po përballet me sfidat më të rrezikshme ushtarake dhe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore. Pandemia, lufta në Ukrainë, Gaza dhe tani Gjiri Persik, janë sfida jashtëzakonisht të rrezikshme për të gjithë njerëzimin.
Bota tashmë po përballet me mungesë paqeje, ushqimi, energjie, por edhe arsyeje. Larry Fink i BlackRock – një nga kompanitë më të mëdha në botë (12 trilionë dollarë), thotë se tashmë kemi një çarje të madhe në komponentët ekonomikë që lidhin botën. Çmimet e energjisë po kërcënojnë të çajnë ekonominë globale, pasi rajoni i Gjirit Persik dhe Rusia janë burimet kryesore të naftës dhe gazit në botë. Në raportin e saj të marsit 2026 për tregun e naftës, IEA (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë) paralajmëron se rrjedha e naftës bruto dhe produkteve të rafinuara të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit është zvogëluar me rreth 20 milionë fuçi në ditë. Kjo i ka detyruar të gjithë prodhuesit në Gjirin Persik të ndalojnë prodhimin, pasi rezervuarët e magazinimit po mbushen kurse eksportet janë bllokuar. Nëse konflikti vazhdon, çmimi i naftës pritet të rritet në 200 dollarë për fuçi!
Ne nuk jemi nga këtu!
Qeveria jonë sillet sikur të ishte nga një planet tjetër. Në vend që të balancojë të gjithë faktorët ekzistues shoqërorë dhe politikë, ajo vazhdon me populizëm të zhveshur dhe politikë të pavlerë. Padrejtësia dhe korrupsioni nuk janë vetëm qeverisje e keqe, por shumë më tepër se kaq. Ato vrasin njerëz, komunitete, familje dhe kryesisht fëmijë. Ato i privojnë fëmijët nga një arsim i mirë, të sëmurët nga ilaqet, punëtorët nga punët e mira në vendin e tyre dhe familjet nga banime të sigurta. Ato vrasin dashurinë, shkatërrojnë familjet, krijojnë lot, mallkime dhe shumë vuajtje. Njerëzit vuajnë për shkak të një ushqimi që nuk është ngrënë, për shkak të një ilaçi që nuk është blerë, për shkak të një banese që nuk është ndërtuar, për shkak të një jete që nuk është shpëtuar. E shumë “për shkak” të tjera! Thënë thjesht, asgjë nuk është e mirë në një sistem të keq.
Shumë vende kanë frikë me të drejtë nga konfliktet, sepse aktualisht nuk ka asnjë organ ndërkombëtar që mund t’i parandalojë ato. Pyetja prej një milion dollarësh është nëse NATO është ende ajo?! Shtetet e vogla kanë nevojë për komunikim të relaksuar me fqinjët e tyre dhe kohezion të brendshëm, në vend të megafonit të lirë shkatërrues partiak, i cili me muzikë të mërzitshme çon në vajtim. Por disa njerëz duket se kënaqen me shoqërinë e djallit, e ai di vetëm për ferrin! S’po ndalemi kurrë së qeni krenarë për gjërat për të cilat bota normale turpërohet!
Gjëja e parë që duhet bërë është të balancohen marrëdhëniet me Bullgarinë, përfshirë ndryshimet kushtetuese, sepse e sotmja nuk garanton të nesërmen. Është koha të ndalojmë së trajtuari këtë çështje si një luftë gladiatorësh për jetë a vdekje. Ne ishim vendi i dytë më i zhvilluar midis 19 vendeve ish-socialiste, por për shkak të privatizimit kriminal dhe mungesës së kapacitetit shtetëror, mbetëm të fundit. Dhe sipas disave, madje edhe të pashpresë. Ne ishim krenarë për një histori të rreme, kurse një histori e rreme vret të ardhmen e vërtetë.
Çmenduria ik nga kinezë të zgjuar!
Sidoqoftë, luftërat do mbarojnë. Do të përballemi përsëri me llogaritje, krahasime, pasoja që do të jenë më të mira se ato nesër dhe më të këqija se dje. Kinezëve iu deshën vetëm tetë vjet për të ndërtuar urën më të gjatë në botë (55 km), e cila lidh Hong Kongun me Makaon dhe kryeqytetin Zhuhai. Në më pak se tre vjet, ura më e lartë në botë, “Huajiang” mbi Kanionin e Madh në një lartësi prej 1,100 metrash dhe një gjatësi prej 2,890 metrash, u ndërtua në provincën kineze Guizhou. Ajo urë e shkurtoi udhëtimin nga 70 minuta në vetëm dy minuta, plus që është një atraksion i ri turistik botëror. Kurse ne kemi ndërtuar vetëm 1.5 km autostradë nga kufiri i Kosovës për 10 vjet. Autostrada Kërçovë-Ohër me të drejtë meriton një pllakë përkujtimore për shkak të kohës së saj kozmike dhe çmimit astronomik!
Prodhimi bujqësor i Kinës është më i madhi në botë, megjithëse vetëm 15% e tokës së saj është e punueshme. Një tokë e tillë në Kinë, e cila përbën vetëm 10% të tokës së punueshme në botë, ushqen mbi 22% të popullsisë së botës. Nga 1,400,000 km² tokë e punueshme, vetëm rreth 8.2% (116,580 km²) mund të kultivohet kualitetshëm, kurse pjesa e mbetur prej 525,800 km² po përshtatet me ndihmën e teknologjive më të fundit. Kurse ne po e shkatërrojmë brutalisht tokën pjellore. Në vitin 1990, Kina kishte pothuajse tre herë më pak të ardhura bujqësore për frymë se Maqedonia, kurse vitin e kaluar kishte 5.3 herë më shumë për frymë se ne.
Ekspertët kinezë për zhvillimin ekonomik ishin në Ballkanin Perëndimor pak para pandemisë. Ata u impresionuan nga burimet tona natyrore, veçanërisht rajonet e Tikveshit dhe Ovçe Pole, kombinimi i Pollogut dhe Sharrit, Mavrovës, Ohrit, etj. “Zoti ka qenë jashtëzakonisht bujar këtu, por faktori njerëzor tejet dekurajues”, thanë ata. Ekspertët evropianë thonë se për rreth dhjetë vjet administrata jonë publike dhe shtetërore nuk do të ketë nevojë për më shumë se 50 mijë njerëz. Kjo do të thotë se për 90 mijë të mbeturit, nevojiten projekte për përfshirjen e tyre në ekonomi, në prodhimin cilësor të ushqimit, në bujqësi, ferma moderne, turizëm rural dhe malor, shërbime të shumta, etj. Kjo tashmë është filluar në shumë vende evropiane.
Fatkeqësisht, ende nuk kemi as parakushtet elementare për zhvillim të qëndrueshëm – liberalizim, iniciativë, një sistem merite, arsim, efikasitet administrativ, departizim, etj. Në vendin tonë, institucionet kryesore drejtohen nga laikë margjinalë të partisë, të cilët në një botë normale nuk do të mund të ishin as roje nate për këto institucione. Lumturia e tyre personale e lidhur me partinë krijon një fatkeqësi të madhe për popullin.
Fatkeqësisht, edhe MANU (ASHAM) egoiste i përket një grupi të tillë, e cila me përulësi lavdëron çdo qeveri e politikan për para. Njerëz të moshuar të rraskapitur që, përveç pagave dhe pensioneve, marrin paushale të mëdha parash, ndërsa rinia endet nëpër Evropë për një mbijetesë. “Ata marrin shuma të mëdha për të lavdëruar budallenjtë” – thotë një koleg i imi. Në shoqëritë e shëndetshme dhe normale, kjo nuk ndodh. Paratë publike duhen fituar, e jo t’I fallen dikujt. Ato para duhen ridrejtuar në shkencën e vërtetë, e cila do të përfshinte të rinj të aftë të përzgjedhur sipas punimeve shkencore elitare të botuara në revista nga Scopus, Web of Science, etj. Sa moral ka në to, shihet në iniciativat para Gjykatës Kushtetuese kundër Ligjit për Gjuhët, ku 34 iniciatorë kanë shkronjat “Prof. Dr.” Sa të heshtur janë ata profesorë për krimin, për injorancën, për partishmërinë, për abuzimet me tenderët, për shitjen e pronës së përbashkët. A kaq të zhurmshëm kundër gjuhës së tjetrit! Por, duke i dëgjuar këta dhe ato nga Gjykata Kushtetuese – heq kapelen para kalit!