Donald Trump: SHBA-ja ka kryer një sulm të fuqishëm ajror ndaj objektivave ushtarake në ishullin iranian Harg
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm të fuqishëm ajror ndaj objektivave ushtarake në ishullin iranian Harg, pika strategjike nga ku kalon 90% e eksporteve të naftës së Iranit. Tramp gjithashtu kërcënoi se do godiste infrastrukturën iraniane të naftës nëse Teherani nuk lejon lëvizjen e lirë të anijeve të mallrave dhe të naftës e gazit natyror në ngushticën e Hormuzit.
“Për arsye korrektësie kam zgjedhur të mos shkatërroj infrastrukturën e naftës së ishullit. Megjithatë, nëse Irani ose dikush tjetër përpiqet të pengojë kalimin e lirë dhe të sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, unë do ta rishqyrtoj menjëherë këtë vendim,” deklaroi presidenti amerikan.
Ndërkaq Izaeli thotë se lufta po hyn në një fazë vendimtare.
“Ne po hyjmë në fazën vendimtare të përballjes, midis përpjekjeve të regjimit për të mbijetuar, duke i shkaktuar gjithnjë e më shumë vuajtje popullit iranian dhe dorëzimit”, deklaroi Israel Katz, Ministri i Mbrojtjes i Izraelit.
Ndërkohë pas sulmit në Ishullin Harg, Irani u përgjigj duke goditur ambasadën amerikane në Irak, ku nuk raportohet se ka të lënduar.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të premten në mbrëmje Irani është “plotësisht i mposhtur” dhe po lutet për një “marrëveshje”, por ai nuk e dëshiron një të tillë.
Ushtria iraniane ka njoftuar se do të shkatërrojë të gjitha objektet e naftës, financiare dhe energjetike të lidhura me SHBA-në në Lindjen e Mesme, në përgjigje të kërcënimeve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump kundër infrastrukturës së naftës së Iranit./